Ndërlidhjet

Maqedoni: Kriza politike thellon ndasitë në shoqëri


Protestat në Shkup kundër platformës së partive shqiptare.
Protestat në Shkup kundër platformës së partive shqiptare.

Sundimi i drejtësisë dhe vendosja e Maqedonisë në binarët të proceseve integruese është rruga e vetme, përmes së cilës mund të eliminohen ndasitë e thella në shoqërinë maqedonase, që janë gjithnjë e më shumë të dukshme.

Sefer Tahiri, komunikolog, thotë për Radion Evropa e Lirë se shoqëria në Maqedoni është e ndarë në vija etnike dhe këto ndasi gjithnjë e më shumë, për fat të keq, i kanë thelluar politikanët për interesa të ngushta partiake kundrejt realitetit ndëretnik.

Tahiri thotë se karta etno-nacionaliste gjithmonë ka qenë shumë e rëndësishme për politikanët e Maqedonisë.

Ardhja në pushtet e VMRO DPMNE-së që nga viti 2006 ka bërë që ky hendek mes shqiptarëve dhe maqedonasve në shoqërinë maqedonase është thelluar në vazhdimësi, siç është ndarja mes atyre që janë patriotë dhe mbrojtës të interesave maqedonase dhe atyre që janë tradhtarë”.

“Dhe, duhet theksuar se krejt kjo çon në një ndarje më të thellë, e cila ka të bëjë me aspektin e orientimit gjeostrategjik dhe gjeopolitik të Maqedonisë, kur një pjesë e popullatës mbështet integrimin e vendit në strukturat euroatlantike e cila kryesisht u takon partive me orientim liberal majtist”.

“Koncepti tjetër, i cili gjithnjë e më shumë shfaqet mbase jo në mënyrë të hapur, por në mënyrë shumë diskrete, është koncepti i partive djathtiste, të cilat përmes eksponentëve të ndryshëm intelektual dhe media pro politikave të tyre, edhe pse jo nga vetë politikanët promovohet orientimi drejt Rusisë, drejt lindjes gjegjësisht gjë që edhe më shumë thellon ndasitë jo vetëm brenda dy etniteteve më të mëdha në Maqedoni, maqedonasve dhe shqiptarëve, por thellon ndasitë edhe brenda etnitetit maqedonas”, vlerëson Tahiri.

Nga ana tjetër, sociologu maqedonas, Ilija Acevski, konsideron se ndasitë në vend paraqesin kërcënim për të ardhmen e Maqedonisë si shtet, për shkak se nxitja e nacionalizmave ka për qëllim të kamuflojë partizimin e skajshëm të institucioneve shtetërore.

Acevski thotë se strukturat udhëheqëse maqedonase gjatë një dekade sa kanë qeverisur me pushtetin, kanë transferuar një pjesë të madhe të mjeteve të buxhetit në xhepat e tyre dhe në momentin që duhet të përgjigjen për këtë veprim para organeve të drejtësisë, ata shpëtimin e shohin përmes ombrellës së patriotizmit maqedonas.

“Sa më shumë të zgjasë kriza, aq më shumë do të thellohet hendeku i ndasive mes dy etniteteve më të mëdha në Maqedoni dhe ajo që është më e rrezikshmja, ndasitë që krijohen brenda etnitetit maqedonas”. “ Kjo do të zgjasë derisa të fillojë të funksionojë drejtësia në institucionet e vendit, të arrijë ta bëjë punën e saj pa pengesa Prokuroria Speciale publike, dhe gjykatat me atë që të gjithë ata të cilët kanë kryer vepra kriminale, të përgjigjen para drejtësisë. Deri atë atëherë do të zgjatë kjo krizë e ndasive mes ‘tradhtarëve’ që kanë shitur gjoja se interesat e shtetit dhe atyre që për çdo ditë protestojnë në mbrojtje të shtetit maqedonas”, konsideron Acevski.

Zvarritja e krizës politike edhe më shumë, do të çojë në fragmentarizmin e shoqërisë në Maqedoni, duke kërcënuar dhe stabilitetin e vendit, theksojnë njohësit e çështjeve politike.

Sipas tyre, thirrjet kundër të drejtave ndaj një etnikumi siç është rasti konkret kundër realizmit të së drejtës së përdorimit të gjuhës shqipe nga ana e qytetarëve maqedonas, ka për qëllim fshehjen e akteve kriminale dhe frikën për t’u përballur me drejtësinë struktura të caktuara udhëheqëse të qeverisjes VMRO DPMNE dhe BDI (Bashkimit Demokratik për Integrim) gjatë dekadës së fundit. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG