Ndërlidhjet

BE-ja dhe SHBA-ja kërkojnë lirimin e të gjithë të arrestuarve në Bjellorusi


Minsk
Minsk

Aktivistët për të drejtat e njeriut nga grupi, Vyasna (Pranvera) në Bjellorusi, thonë se afro 700 vetë janë arrestuar dje në rrugët e kryeqytetit Minsk, gjatë protestës kundër qeverisë së presidentit, Alyaksandr Lukashenka.

Aktivistja Tatsyana Revyako tha se “shumica e të arrestuarve ishin rrahur dhe të gjithë kanë nevojë për ndihmë mjekësore”.

Asociacioni i gazetarëve të Bjellorusisë tha se 20 reporterë, që raportonin për këtë demonstratë të paautorizuar, po ashtu, ishin arrestuar nga autoritetet.

Shumica e të arrestuarve janë liruar sot herët në mëngjes, ka njoftuar grupi Vyasna, megjithëqë nuk është e qartë se sa persona ende mbahen në polici.

Bashkimi Evropian i ka dënuar aksionet e autoriteteve të Bjellorusisë kundër protestuesve dhe ka kërkuar lirimin e menjëhershëm “të të gjithë shtetasve paqësorë të arrestuar aktualisht”.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Bjellorusi ka kërkuar nga autoritetet që t’i lirojnë të gjithë ata që janë arrestuar në demonstratë.

Korrespondentja e Radios Evropa e Lirë, Redaksia për Bjellorusinë, Alyaksandra Dynko, dhunën e policisë e ka përshkruar si “brutale”.

Në këtë frymë është shprehur edhe protestuesi Alyaksander.

“Ka ekzistuar një lloj shprese se kjo protestë do të çoj në disa ndryshme në vend, por asgjë nuk ka ndodhur. Ka pasur goditje brutale kundër kësaj proteste”, tha protestuesi Alyaksander.

Korrespondentja Dynko tha se personat e moshuar, disa me aftësi të kufizuara dhe në moshë të shtyrë, ishin keqtrajtuar nga disa policë, të cilët në mënyrë të dhunshme i vendosën ata në makinat e policisë.

Ajo tha se policia kishte përdorur shkopinj për t’i rrahut djemtë dhe vajzat e reja, e madje edhe ata nën moshën 18-vjeçare, nëse ata në mënyrë pasive i rezistonin arrestit, duke u ulur në tokë, që ishte gjest i protestës jo të dhunshme.

Më tepër se pesë police do ta mbanin një person, derisa një tjetër polic e rrihte atë në këmbë dhe gjoks, ka thënë Dynko, duke shpjeguar se ata që kanë pyetur për shkaqet e ndalimit ishin rrahur me shkopinj policorë.

Organizata “Amnesty International” tha nëpërmjet një deklarate se monitoruesit e saj “ishin dëshmitarë tëarrestimit të dhjetëra protestuesve paqësorë” në demonstratën në Minsk dhe kanë parë “shembuj të përdorimit të forcës së tepruar nga policia, ndërsa nuk kanë dëshmuar as një incident të vetëm të dhunës nga demonstruesit”.

Denis Krivosheev, zëvendësdrejtor për programin e organizatës “Amnesty International” për Evropë dhe Azi Qendrore, tha se “ne kemi parë protestues paqësorë të rrahur dhunshëm në rrugët e Minskut dhe një grua të moshuar, që ishte përplasur për toke nga policia speciale”.

Afro 700 demonstrues ishin përpjekur të marshonin përgjatë sheshit kryesor në qendër të Minskut, por ishin bllokuar nga pjesëtarët e policisë speciale.

Protestuesit brohoritnin “turp për juve” dhe “fashistë” pak para se policia filloi t’i arrestonte njerëzit.

Para kësaj demonstrate, grupi Vyasna tha se policia e kishte bastisur zyrën e këtij grupi në Minsk dhe i kishte arrestuar 57 vetë, përfshirë vëzhgues të jashtëm.

Marc Behrendt nga organizata “Freedom House”, u ka bërë thirrje autoriteteve të Bjellorusisë që “ta respektojnë të drejtën e të gjithë shtetasve të vet që të tubohen lirisht” dhe kërkoi që autoritetet t’i “lirojnë pa akuza, hetime ose keqtrajtime të tjera, të gjitha ata që janë paraburgosur”.

Behrendt tha se Qeveria e presidentit Lukashenka “duhet t’i respektojë premtimet e veta ndaj komunitetit ndërkombëtar dhe të fillojw respektimin e lirive fundamentale”.

Kjo demonstratë u organizua për shkak të pakënaqësisë në rritje në Bjellorusi, prej se Qeveria e presidentit Lukashenka e ka paraqitur legjislacionin për taksën prej 250 dollarësh amerikanë kundër atyre që punojnë më pak se gjashtë muaj në vit, por nuk regjistrohen në zyrat e punësimit të Bjellorusisë.

Gjatë javëve të fundit, mijëra njerëz kanë dalw në rrugët e qyteteve të Bjellorusisë në demonstratat më të mëdha kundër qeverisë për disa vite.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG