Ndërlidhjet

SHBA i jep dritën jeshile Malit të Zi në NATO


Uashington
Uashington

Senati i Shteteve të Bashkuara i dha miratimin final protokollit për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Spanja dhe Holanda kanë mbetur tani dy vendet e vetme të aleancës 28-anëtarëshe që duhet të miratojnë kërkesën e Malit të Zi, përpara se të ndodhë anëtarësimi i plotë.

Anëtarësimi në NATO do ta sjellë Malin e Zi më afër strukturave ekonomike dhe politike të Evropës, ndërsa do ta thellojë ndjeshëm mosbesimin e Moskës tek aleanca.

E zemëruar me çdo zgjerim të NATO-s në lindje, Moska ka kundërshtuar fuqishëm edhe anëtarësimin e Malit të Zi në këtë aleancë.

Prokurorët malazezë, madje, kanë fajësuar Kremlinin për përfshirje në një përpjekje për grushtshtet në Podgoricë, vitin e kaluar, me synimin për të sjellë opozitën në pushtet dhe për të ndaluar anëtarësimin e Malit të Zi në aleancën ushtarake.

Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Malin e Zi ka qenë kryesisht e fuqishme, edhe pse disa vëzhgues kanë spekuluar se retorika e butë e presidentit Donald Trump ndaj Rusisë mund të rezultojë me mbështetje më të dobët për zgjerimin e NATO-s.

Trump, në disa raste, e ka cilësuar NATO-n si organizatë “të vjetruar”.

Megjithatë, para votimit, Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, u ka shkruar liderëve të Senatit, duke thënë se miratimi i protokollit për Malin e Zi duhet të bëhet përpara samitit të NATO-s, të paraparë për muajin maj.

Javën e kaluar, komandanti i ushtrisë amerikane në Evropë, gjenerali Curtis Scaparrotti, i ka thënë një komiteti të Senatit se refuzimi i kërkesës së Malit të Zi do të dërgonte sinjal të gabuar te vendet e tjera të interesuara për anëtarësim në NATO.

Senatori Raund Paul ka bllokuar një përpjekje të mëparshme për të çuar përpara ratifikimin e protokollit për Malin e Zi, duke thënë se anëtarësimi i këtij vendi në NATO mund të tendosë tutje lidhjet me Rusinë e ndoshta “mund të çojë edhe në luftë”.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG