Ndërlidhjet

Dy senatorë republikanë e kritikojnë ndryshimin e politikës për Assadin


Dy senatorë veteranë republikanë mbrëmë e kanë sulmuar ashpër ndryshimin e politikës amerikane, e cila tashmë nuk insiston në largimin e presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, si parakusht për ndaljen e luftës civile gjashtëvjeçare në Siri.

Senatorët republikanë, John McCain dhe Lindsay Graham, në deklarata të ndara, e sulmuan qëndrimin e ri të adminsitratës së presidentit, Donald Trump, duke e vlerësuar si “vetëshkatërrues” dhe “gabim të rëndë”.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, tha në Nju Jork se “prioritet yni tashmë nuk është të qëndrojmë atje dhe të fokusohemi në largimin e Assadit”.

Pak kohë para ambasadores Haley, sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, theksoi se e ardhmja e Assadit “do të vedoset nga populli i Sirisë”.

John McCain dhe Lindsay Graham ishin kritikët udhëheqës republikanë të politikave të presidentit, Donald Trump, i cili poashtu është nga Partia Republikane, për shumë çështje.

Zoti McCain tha se deklarata e sekretarit Tillerson “nuk e sheh realitetin tragjik, në të cilin populli sirian nuk mund të vendos për fatin e Assadit ose për të ardhmen e vendit të vet, kur ata janë duke u vrarë”.

Senatori McCain, që është kryesues i Komitetit të shërbimeve të armatosura të Senatit të Shteteve të Bashkuara, e ka fajësuar ushtrinë e Assadit, forcën ajrore të Rusisë dhe milicitë e mbështetura iraniane, për sulmet kundër shtatasve sirianë.

“Shpresoj se presidenti Trump do ta bëjë të qartë se Amerika nuk do ta ndjek këtë rrugë vetë-shkatërruese dhe të vetë-disfatës”, tha McCain.

Senatori Graham, anëtar i Komitetit të shërbimeve të armatosura të Senatit të Shteteve të Bashkuara, tha se do të ishte “gabim i madh” nëse Shtetet e Bashkuara tërhiqen nga qëllimi i largimit të Assadit.

Sipas tij, kjo lëvizje do të ishte goditje trodnitëse për opozitën siriane dhe “çmim i madh pr Rusinë dhe Iranin”.

Duke u përgjigjur ndaj komenteve amerikane, zëdhënësi opozitar sirian, Monzer Makhos, u tha gazetarëve në Gjenevë se “opozita kurrë nuk do ta pranojë çfarëdo roli për Bashar al-Assadin në asnjë fazë; nuk do të ketë ndryshim në qëndrimin tonë”.

Në këtë frymë është shprehur edhe zëdhënësja e Komitetit të Lartë për Negociata e opozitës siriane, Farah al-Atassi, e cila vlerësoi se mesazhet amerikane janë “kundërthënëse”.

“Pra, është fatkeqe që ne dëgjojmë mesazhe të këtilla kundërthënëse nga administrata e Shteteve të Bashkuara. Ne do të dëshironim të shohim rol dhe udhëheqje më vendosëse nga Shtetet e Bashkuara në dosjen siriane, e jo që kjo dosje të shihet vetëm me sy të luftimit të ISIS-it”, tha Farah al-Atassi, në Gjenevë.

Rusia dhe Irani e mbështesin Assadin, derisa Turqia dhe Shtetet e Bashkuara i patën mbështetur forcat kryengritëse, të cilat luftonin për përmbysjen e Assadit.

Në gusht të vitit 2011, presidenti i atëhershëm amerikan, Barack Obama, tha se Assadi duhet të largohet nga pushteti. Në vitin 2015, sekretari i atëhershëm i shtetit, John Kerry, tha se Assadi duhet të largohet, ndërsa koha e tërheqjes të tij mund të ishte çështje e negociatave.

Nga lufta në Siri, që ka filluar në mars të vitit 2011, pas goditjes së qeverisë kundër protestuesve për demokraci, vlerësohet se janë vrarë 300 mijë vetë, ndërsa miliona banorë janë zhvendosur.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG