Ndërlidhjet

Rreth tre milionë euro ka qenë vlera e mallit, vitin e kaluar, që është tentuar të futet si kontrabandë, përmes pikave kufitare në Kosovë, thonë zyrtarë të Doganave të Kosovës, sipas të cilëve nga to ka pasur rreth 1200 raste të kundërvajtjeve doganore.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se gjatë këtij viti, janë evidentuar rreth 200 raste të kundërvajtjeve që janë zbuluar nga oficerët doganorë, qoftë në brendi të vendit, po ashtu edhe në pikat kufitare, në pjesën e ashtuquajtur vija e gjelbër.

“Nuk mund të themi që ka një pikë kufitare, e cila dallon nga të tjerat, përveç problemeve në veri, që janë edhe probleme politike, jo vetëm probleme të natyrave ekonomike. Por, mund të them se pika më të nxehta kemi pjesën veriore, Vërmicën, pjesa e Dheut të Bardhë dhe një pjesë te pika kufitare e Hanit të Elezit”, ka thënë Stavileci.

Doganat e Kosovës janë kontribuuesi kryesor i buxhetit të shtetit, i cili grumbullon për arkën e shtetit tri tatime kryesore: Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në import, taksën doganore dhe akcizën.

Produktet më atraktive, të cilat kontrabandohen në Kosovë, sipas Stavilecit, janë mallrat për të cilat paguhet akciza, siç është nafta, alkooli dhe duhani .

“Një kontrabandues arrin të kontrabandojë produktet, të cilat kanë akcizë dhe fitimi i tyre është më i madh nga shmangia e taksave, atëherë ato kontrabandohen. Por, kohëve të fundit kemi parë raste kur kemi kontrabandë të tekstilit, të barnave, përveç kontrabandës së zakonshme, asaj që jo vetëm në Kosovë pornë gjithë botën, zhvillohet me cigare dhe naftë”, ka bërë të ditur Stavileci.

Autoritetet kompetente në Kosovë, disa herë kanë paraqitur ide, propozime dhe strategji që të zvogëlohet pjesëmarrja e lartë e ekonomisë joformale, por përfaqësues të komunitetit të biznesit, thonë se niveli i kontrabandës vazhdon të jetë i lartë.

Niveli i lartë i hyrjes së mallrave në tregun e Kosovës duke iu shmangur detyrimeve doganore, sipas tyre, ka krijuar konkurrencë të padrejtë në treg, njëherësh ka vështirësues tej mase veprimtarinë e disa bizneseve, veçanërisht ka dëmtuar industrinë e prodhimit.

Edhe në raportin e fundit të publikuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, thuhet se një nga tri problemet, me të cilat ballafaqohen bizneset në Kosovë, është kontrabanda apo konkurrenca jolegale.

Sipas këtij raporti, rreth 43 për qind konsiderohet që në Kosovë është e pranishme kjo lloj ekonomie.

Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kontrabanda, si problematikë, është bërë tashmë një fenomen që ka krijuar traditë në vend.

Sipas tij, është shumë vështirë të luftohet një problematikë e tillë me anë të tryezave e debateve, ngase për luftimin e kontrabandës nevojitet të shtohen aktivitetet dhe përpjekjet, deri në eliminimin e saj.

Sipas institucioneve financiare ndërkombëtare, Gërxhaliu thekson se vlera e kontrabandës për vitin 2015 dhe 2016 ka arritur në një miliard euro.

“Prania e kontrabandës është një dukuri që dëmton imazhin e Kosovës dhe krijon një perceptim negativ, nga i cili perceptim në mënyrë direkte vjen deri te de-motivimi i investitorëve të huaj”.

“Dhe, në qoftë se në një shtet të vogël siç është Kosova kemi këtë përqindje të joformalitetit, ne nuk mund të flasim për prodhim dhe vende të reja të punës”, është shprehur Gërxhaliu.

Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka thënë se pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve kompetente për luftimin e kësaj dukurie, pjesëmarrja e kontrabandës në tregun e Kosovës vazhdon të jetë mbi 35 për qind.

Ai ka theksuar se shqetësimet e bizneseve vazhdojnë të jenë të pranishme se prania e kontrabandës po pengon veprimtarinë e tyre zhvillimore.

“Nëse e them se personalisht besoj se është mbi 35 për qind dhe kjo edhe për shkak të kapaciteteve të kufizuara të brendshme të institucioneve tona për të kontrolluar ekonominë në përgjithësi”.

“Prania e mallrave të kontrabanduarajo vetëm që dëmton buxhetin e vendit, për shkak se Doganat dhe institucionet tjera tatim-mbledhëse e kanë të pamundur që të arkëtojnë të gjithë të hyrat nga importimi ilegal i këtyre mallrave”, ka thënë Zeka për Radion Evropa e Lirë.

Por, Safet Gërxhaliu ka thënë se vetëm sundimi i rëndit dhe ligjit mund ta zvogëlojë shkallën e kontrabandës në Kosovë.

Kur kemi sundim të rendit dhe ligjit, vetëm atëherë mund të bëhet edhe minimizimi i ekonomisë së kriminalizuar, e cila u pranua apo jo, është shndërruar në sëmundje kancerogjene për procese të mirëfillta ekonomike në Kosovë”, ka shtuar Gërxhaliu.

Qeveria e Kosovës disa herë është zotuar se përpjekjet për luftimin e kontrabandës nuk mungojnë. Madje, për luftimin e ekonomisë joformale, dhe krimeve tjera financiare, janë krijuar edhe strategji të ndryshme.(REL)

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG