Ndërlidhjet

OSBE-ja, e gatshme të mbledhë votat për zgjedhjet serbe në Kosovë


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë [OSBE] ka konfirmuar se është i gatshëm, që në aspektin teknik, të ndihmojë në grumbullimin e votave brenda Kosovës për zgjedhjet presidenciale në Serbi.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, zyra për media e kësaj organizate tha se në katër qendra me degë përkatëse, do t'ju mundësojë personave me të drejtë vote që të votojnë.

Deklarata e OSBE-së vjen një ditë para se të mbahen zgjedhjet presidenciale që janë paraparë të zhvillohen edhe brenda territorit të Kosovës në vendbanimet me shumicë serbe.

Për të ndërmarrë këtë operacion, OSBE-ja ka marrë një kërkesë nga Beogradi dhe miratimin e Qeverisë së Kosovës”.

“Misioni i OSBE-së është i gatshëm që të ndërmarrë operacionin e grumbullimit të votave, në kontekst të zgjedhjeve presidenciale të Serbisë. Për këtë qëllim, nesër OSBE-ja do të hapë 4 qendra me degë përkatëse, që t'iu mundësojë personave me të drejtë vote qasje në këto zgjedhje. Qendrat do të udhëhiqen nga stafi i OSBE-së. Në përmbyllje të këtij operacioni, materiali do t'i dorëzohet RIK-ut [Komisionit Zgjedhor Republikan] për procedura të mëtejme", thuhet në përgjigjen e OSBE-së.

OSBE-ja thotë se operacioni i grumbullimit të votave bazohet në modelin e mëparshëm të vitit 2012, 2014 dhe 2016.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, deklaroi se Qeveria e Kosovës ka bërë një marrëveshje me misionin e OSBE-së që qytetarët serbë që kanë dy shtetësi, mund të votojnë edhe në Kosovë, për zgjedhjet presidenciale të Serbisë.

“Është një marrëveshje që e kemi bërë me OSBE-në, në mënyrë që të lejojmë pikat e grumbullimit të votave, të cilat nuk do të numërohen këtu, por vetëm do të bartën dhe të numërohen në Serbi. Ne e kemi parë të arsyeshme që të vazhdojmë praktikën që e kemi aplikuar këtu dhe në vitet e kaluara, që t'u mundësojmë të votojnë të gjithë qytetarët serbë që i kanë dy shtetësi dhe që ju takon kjo e drejtë në mënyrë që ata të mos maltretohen dhe të shkojnë atje", tha Mustafa në konferencën me rastin e shënimit të njëvjetorit të hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe pranimit të Doganës në Organizatën Botërore të Doganave.

Ndërkaq, autoritetet e rendit, thanë për Radion Evropa e Lirë se situata e sigurisë, pas paralajmërimit të mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale serbe edhe në Kosovë, është e qetë dhe se nuk ka ndonjë indikacion se mund të ketë ndonjë përkeqësim.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, tha se gjendja është e qetë dhe stabile.

"Policia e Kosovës ka kapacitet dhe numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë për të garantuar një siguri të përgjithshme, për të garantuar një lëvizje të lirë dhe për të zbatuar ligjin në përgjithësi", tha Hoxha.

Hoxha shtoi se edhe me rastin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, Policia, si institucion zbatues i ligjit, vepron në funksion të mbajtjes së rendit, sigurisë dhe qetësisë publike.

"Bazuar në vendime të autoriteteve qeveritare të Republikës së Kosovës dhe parashtrimit të kërkesave për asistencë që mund të vijnë nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian që ndërlidhen me procesin apo aktivitetet e tyre në grumbullimin e fletëvotimeve, Policia si institucion zbatues i ligjit, vepron në funksion të mbajtjes së rendit, sigurisë dhe qetësisë publike, si dhe ndërmarrjen e të gjitha masave ligjore ndaj çdo veprimi destruktiv apo që bie ndesh me ligjet e Republikës së Kosovës", shtoi Hoxha.

Mbajtja e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës ka nxitur një valë reagimesh të qytetarëve shqiptarë. Në fshatin Hoçë e Madhe të Rahovecit, të mërkurën ata bllokuan një autobus të qytetarëve serbë të fshatit që provoi të lëvizte drejt veriut të Kosovës për të marrë pjesë në fushatën zgjedhore.

Gjithashtu, dy magjistralet Prishtinë - Gjilan dhe Prishtinë - Mitrovicë u bllokuan nga qytetarët shqiptarë që provuan të pengonin hyrjen e paralajmëruar të kryeministrit aktual të Serbisë Aelksandar Vuçiq, njëri nga kandidatët presidencial në Serbi.

Ndërkaq, kryeministri i Serbisë, Vuçiq, anuloi të martën vizitën e tij në Kosovë, vetëm pak orë pasi Qeveria në Prishtinë i dha dritën jeshile për vizitë disaorëshe.(REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG