Ndërlidhjet

Rusia akuzon NATO-n për “shpifje” pasi SHBA-ja denoncoi “agresionin rus”

  • RFE /RL

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillersondhe ministri i jashtëm i Ukrainës Pavlo Klimkin.

Rusia ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj për “shpifje”, pasi kryediplomati amerikan dhe shefi i Pentagonit denoncuan aksionet e Rusisë në Ukrainë dhe gjetkë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, u tha homologëve të tij në NATO se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për integritetin territorial të Ukrainës dhe se sanksionet e SHBA-së ndaj Rusisë do të mbesin në fuqi “derisa Moska të shfuqizojë vendimet që na shtynë të vendosim sanksione”.

Vendet perëndimore kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë për aneksimin e paligjshëm të gadishullit ukrainas të Krimesë dhe për mbështetjen e luftëtarëve separatistë në lindje të Ukrainës.

“Ne nuk i pranojmë dhe nuk do t’i pranojmë përpjekjet e Rusisë për të ndryshuar kufijtë e territorit të Ukrainës”, ka thënë Tillerson.

Ai ka shtuar se Uashingtoni “do të vazhdojë ta mbajë përgjegjës Rusinë për angazhimet që dalin nga Minsku”, duke iu referuar procesit të Minskut për zgjidhjen e krizës në Ukrainë.

Tillerson ka marrë pjesë në takimin e parë me ministrat e Jashtëm të NATO-s. Ai i ka thënë ministrit të Jashtëm ukrainas, Pavlo Klimkin, se mbështetja e Amerikës dhe NATO-s për Ukrainën vazhdon të jetë e “palëkundur” pas “agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës”.

Rusia është kundërpërgjigjur duke akuzuar NATO-n për përhapjen e “mitit të kërcënimit rus” dhe për “shpifjet për agresionin rus”, si një mënyrë që të unifikojë anëtarët brenda aleancës.

“SHBA-ja dhe aleatët e saj janë të obsesionuar me ndërtimin e pranisë së tyre ushtarake në kufijtë tanë, duke e justifikuar këtë gjë me ‘frenimin e Rusisë’”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme ruse.

Gjithashtu, më 31 mars, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis u tha gazetarëve në Londër se “shkeljet e ligjeve ndërkombëtare nga ana e Rusisë, tashmë janë evidentuar- që prej asaj që ndodhi në Krime dhe në aspektet e tjera të sjelljes së tyre ndaj zgjedhjeve të popujve të tjerë”.

Mattis, ka gjasë se i është referuar ndërhyrjes së dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016.

Mattis, po ashtu, ka shprehur shqetësimin për aktivitetin e Rusisë në Afganistan dhe kontaktet me talibanët.

Shqetësimet e shprehura nga Mattis për kontaktet ruse me talibanët, vijnë pasi gjenerali amerikan, Curtis Scaparrotti, komandant suprem i NATO-s për Evropë, i tha një komiteti të Senatit më 23 mars se ka parë të dhëna për rritjen e përpjekjeve të Rusisë për të ndikuar te talibanët dhe me “gjasë ata po e furnizojnë” grupin militant.

Por, këto akuza i ka hedhur poshtë ambasadori rus në NATO, Aleksandr Grushko i cili ka thënë se kontaktet e Moskës me talibanët po bëhen me qëllim që ta shtyjnë grupin militant drejt pajtimit kombëtar.

“Shumë shtete” mbajnë kontakte me talibanët, ka thënë Grushko, duke shtuar se “konsultimet që ne mbajmë, puna që ne bëjmë, ne e bëjmë me pjesëmarrjen e qeverisë qendrore të Afganistanit”.(REL)

Përgatiti: Mimoza Sadiku
XS
SM
MD
LG