Ndërlidhjet

Shpërthim vdekjeprurës në metronë e Shën Petersburgut, dyshohet për sulm terrorist


Të paktën 11 veta u vranë në shpërthimin që goditi një tren ndërmjet dy stacioneve të metrosë në Shën Petersburg, bënë të ditur mediat ruse.

Një mjet shpërthyes u gjet më vonë në një stacion tjetër në afërsi, por u çaktivizua.

Mediat ruse bënë të ditur se një person i dyshuar është identifikuar, por ka njoftime kundërthënëse nëse ai ishte sulmuesi vetëvrasës me bombë, bën të ditur BBC.

Sipas njoftimeve të mediave ruse, që i citon rrjeti britanik, personi që vrau 11 veta në metronë e Shën Petersburgut është identifikuar si një i ri në fillim të 20-tave dhe është nga Azia Qendrore.

Kryeministri Dmitry Medvedev shkroi në rrjetin e tij social Facebook se shpërthimi ishte një “sulm terrorist”.

Hetimet anti terror kanë nisur por shkaktarë të tjerë të mundshëm gjithashtu po hetohen.

Autoritetet ruse në Shën Petersburg e cilësuan shpërthimin në stacionin e metrosë së qytetit si sulm terrorist.

Prokurori shtetëror rus ka konfirmuar, disa orë pas shpërthimit që ndodhi ndërmjet dy stacioneve të metrosë në Shën Petersburg, se bëhet fjalë për sulm terrorist.

Ministrja e Shëndetësisë Veronica Skvortsova ka thënë për televizionin rus se 7 persona kanë vdekur në vendin ku ka ndodhur shpërthimi sot në Shën Petersburg. Një person tjetër, ndërroi jetë në ambulancë, ndërkaq dy të tjerë vdiqën në spital nga plagët e marra.

Ndërkaq, Guvernatori i Shën Petersburgut, Gregory Plotavchenko u ka thënë gazetarëve se edhe “rreth 20 të tjerë” janë plagosur në sulmin e sotëm.

Zëdhënësi i Komitetit Kombëtar rus anti-terror, Andrei Przhezdomsky i ka thënë televizionit shtetëror se një "bombë e pashpërthyer e bërë në kushte shtëpie" është gjetur më vonë në njërin prej stacioneve kryesore të metros në Ploshchad Vosstaniya, dhe është “ç’aktivizua me kohë”.

Shumë nga të plagosurit kanë plagë që duket se janë shkaktuar nga copëza të predhave, raportojnë mediat ruse.

Shërbimi rus i Radios Evropa e Lirë raporton se tri ditë zie do të shpallen, pas shpërthimeve në Shën Petersburg.

Andrei Kibitov, një zëdhënës i zyrës së guvernatorit të Shën Petersburgut tha në Twitter se rreth 50 persona janë plagosur dhe se 17 ekipe emergjente janë mobilizuar. Më shumë do të aktivizohen më vonë, tha ai.

Presidenti rus, Vladimir Putin, që po vizitonte vendlindjen e tij Shën Petersburgun, ku më herët gjatë ditës mbajti konferencë me gazetarë, tha se është njoftuar nga zyrtarët e sigurisë për ngajrjen dhe se autoritetet po hetonin për një lidhje të mundshme terroriste, ka njoftuar TASS.

Putin tha se ka të vdekur dhe të plagosur por nuk tha sa.

Komiteti Kombëtar Rus i Antiterrorizmit në një kumtesë të tij tha se shpërthimet goditën një tern nëntokësor ndërmjet stacionit Tekhnologichesky Insittut dhe Sennaya Ploshchad në qendër të Shën Petersburgut, rreth orës 14.40 sipas orës lokale ruse, njoftoi TASS.

Metroja e Shën Petersburgut tha se të gjitha stacionet të rrjetit të saj janë mbyllur.

Presidenti Putin ishte në Shën Petersburg më herët të hënën por tani ndodhet jashtë qytetit, ka bërë të ditur zëdhënësi I tij Dmitry Peskov, njofton BBC.

"Dua të përcjell ngushëllimet më të sinqerta për më të dashurit e viktimave dhe të të plagosurve. Kam folur tashmë me udhëheqësit e shërbimeve speciale, përfshirë drejtorin e Shërbimit Federal të Sigurisë. Agjencitë e zbatimit të ligjit dhe shërbimet speciale janë duke punuar dhe do të bëjnë gjithçka të mundur për të përcaktuar shkaqet dhe shkallën e plotë të asaj që ka ndodhur", tha Putin.

Kryeministri i Rusisë, Dmitry Medvedev, ka shprehur ngushëllimet e tij për familjarët e viktimave në sulmin në Shën Petersburg.

E gjithë ndihma e nevojshme do t’u jepet të gjithë atyre që kanë vuajtur nga sulmi terrorist në Shën Petersburg. Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Emergjencave u janë dhënë urdhërat e duhur. Ngushëllimet e mija më të sinqerta për të gjithë familjarët dhe me të dashurit e viktimave të këtij shpërthimi. Kjo është e dhimbshme për të gjithë ne”, ka shkruar Medvedev në Facebook.

Sipas shërbimeve emergjente në Shën Petersburg, shpërthimet kanë goditur dy vagona në dy stacione të metrosë.

Deri më tash askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Kamerat e sigurisë kanë kapur imazhe të organizatorit të dyshuar të sulmit të sotëm në Shën Petersburg, raporton Interfax , duke cituar burime të paidentifikuara.

Personi që shihni në fotografinë e mëposhtme, dyshohet se është organizatori i shpërthimit të së hënës në Shën Petersburg.

Sulmuesit vetëvrasës kanë goditur disa herë Moskën dhe qytetet e tjera ruse në dy dekadat e fundit. Për këto akte shpesh janë fajësuar kryengritësit çeçenë.

Shpërthimi i një bombe kishte lënë të vdekur 27 persona, që po udhëtonin në trenin që ishte nisur nga Moska për në Shën Petersburg më 2009.

Në reagimet e para pas shpërthimeve sekretari i NATO-s Jens Stoltenberg, në rrjetin e tij social Twitter, ka shkruar se “bashkëndjenë me ata që janë prekur nga shpërthimet në stacionin e Shën Petersburgut, me të dashurit e tyre dhe me popullin rus”.

Bashkimi Evropian, përmes një deklarate për media ka reaguar pas shpërthimeve në sistemin e metros në Shën Petersburg.

Mendimet tona janë për njerëzit në Rusi, veçanërisht me ata që kanë humbur më të dashurit e tyre në shpërthimin e sotmën në metronë e Shën Petersburgut. Bashkimi Evropian dënon fuqishëm të gjitha aktet e dhunës".

Në njoftim po ashtu thuhet se shefja për poliitikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini i ka shprehur ngushëllimet në emrin e saj dhe të BE-së, ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Lidhur me shpërthimin në Shën Petersburg ka reagua zëdhënësja e Ambasadës amerikane në Moskë, Maria Olson. Ajo ka thënë se është e shokuar nga kjo ngjarje.

Edhe sekretari i jashtëm britanik Boris Johnson ka shprehur ngushëllimet e tij për viktimat.

​Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka quajtur sulmin në Shën Petërsburg, “akt kriminal”.

Pamje që thuhet se janë nga vendi i ngjarjes dhe që janë postuar në media sociale, tregojnë tym në stacionin e metrosë.

Pamje të postuara në YouTube:

XS
SM
MD
LG