Ndërlidhjet

Mësimdhënës të posaçëm për fëmijët me autizëm


Ilustrim
Ilustrim

Fëmijët me autizëm në Kosovë, numri i të cilëve llogaritet të jetë rreth 500, përballen me problemet e natyrave të ndryshme në veçanti me pamundësinë e arsimimit dhe edukimit të tyre.

Jeta Deva nga asociacioni nacional i autizmit në Kosovë, ka thënë se ende nuk është arritur që të mbledhen të dhëna se sa fëmijë me autizëm jetojnë në Kosovë.

"Në Kosovë nuk kemi statistika të sakta pasi edhe diagnozat janë shumë të vështira. Nuk ka strukturë dhe data bazë që do t'i regjistronin fëmijët me autizëm. Autizmi në shkallë botërore arrin në një në 110 fëmijë. Por, në Amerikë thuhet se janë një në 68 fëmijë", ka thënë Deva.

Problemet e fëmijëve me autizëm ndërkohë vijnë dhe bëhen më të mëdha në Kosovë, në veçanti në pamundësi të arsimimit dhe edukimit të tyre.

Violeta Hyseni, nga organizata ‘’Autizmi flet’’, njëherësh nënë e fëmijës me autizëm, i tha Radios Evropa e Lirë se vështirësitë e fëmijëve me autizëm në Kosovë po vazhdojnë nga viti në vit dhe problemet më të mëdha shtrihen në integrimin e tyre në shoqëri

"Ka gatishmëri në disa shkolla që t’i pranojnë këta fëmijë në klasa. Mirëpo, më pas hezitojnë për shkak të mos trajnimeve pasi nuk dinë si t’i qasen fëmijëve. Brenda klasës, në pothuajse të gjitha shkollat, janë deri në 35 nxënës dhe këtu është edhe mos gatishmëria e mësimdhënësve që të pranojnë fëmijë me autizëm në klasa. Atyre u duhet të kenë më pak fëmijë në klasë për të marrë edhe fëmijë me autizëm", ka thënë Hyseni.

Sipas saj, prindërit duhet siguruar vetë asistentët në klasë, duke i paguar me të ardhura vetanake, në mënyrë që fëmijët me autizëm sado pak të mund të ndjekin procesin mësimor.

"Barra më e madhe ju mbetet prindërve. Ata duhet të paguajn asistent për fëmijët e tyre në klasë në mënyrë që t’ia lehtësojnë ecurinë e procesit mësimor mësimdhënësit. Kjo pasi ministria e arsimit nuk merr përgjegjësi të paguajë asistentë për këta fëmijë".

Por, Lulavere Kadriu udhëheqëse e divizionit për arsimin e fëmijëve me nevoja të veçanta, për nivelin e arsimit parauniversitar, në Ministrinë e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se që nga shtatori i vitit 2017, Kosova do të ketë asistentë profesionalë për të punuar në shkolla më fëmijët me nevoja të veçanta.

"Këtë vit, më 2017, do të fillojmë me programin për nivelin e pestë për asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta. Është programi i parë që ofrohet në përgatitjen e asistentëve profesionistë për fëmijët me nevoja të veçanta. Nga muaji shtator do të fillojë të zbatohet, fillimisht në Ferizaj".

"Është program një vjeçar, por që i përmbledh dy vite. Ofrohet nga ministria e arsimit në bashkëpunim me qeverinë e Luxemburgut dhe standardet sikur edhe programet janë hartuar në bashkëpunim me Pirson të Anglisë", ka thënë Kadriu.

Ajo ka thënë se një numër i mësimdhënsve janë trajnuar që ta ofrojnë këtë program dhe për herë të parë Kosova do të bëjë aftësimin e asistentëve profesionistë për të mbështetur fëmijët me nevoja të veçanta, përfshirë dhe fëmijët me autizëm.

Procesin mësimor në një vit shkollor në Kosovë e ndjekin rreth 390 mijë nxënës të arsimit fillor, në rreth 1200 objekte, me mbi 25 mijë mësimdhënës.

Zyrtarë të ministrisë së arsimit thonë se mbi 6 mijë nxënës me nevoja të veçanta kanë vijuar mësimin. (REL)

XS
SM
MD
LG