Ndërlidhjet

Jablanoviq sërish shef i Listës Serbe


Ish ministri në Qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jablanoviq, do të marrë detyrën e shefit të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës. Jabllanoviq kthehet në këtë detyrë të cilën e ngriu deri sa ishte në detyrën e sekretarit të shtetit në Ministrinë e Punës të Republikës së Serbisë.

Lajmin për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar i ati i tij, kryetar i Leposaviqit, Dragan Jablanoviq.

Sipas tij që prej kalimit në detyrën e sekretarit të shtetit, detyrën e kryetarit të Listës Serbe në Kosovë e ka ushtruar Slavko Simiq, por Dragan Jablanoviq thotë se i vetmi kryetar i regjistruar në KQZ në Kosovë është i biri i tij, Aleksandri.

As Slavko Simiq dhe as vetë Aleksandar Jablanoviq nuk ishin të qasshëm.

Aleksandar Jablanoviq ishte ministër në qeverinë e Kosovës për kthim dhe komunitete, por u shkarkua nga kryeministri Isa Mustafa, pas nxitjes së reagimeve përmes një deklarate fyese duke i quajtur ‘egërsira” protestuesit në Gjakovë, që nuk lejuan një vizitë të pelegrinëve serbë në kishën ortodokse të qytetit në vitin 2015.

Pas shkarkimit, Jablanoviq u emërua në detyrën e sekretarit në ministrinë e punës në Serbi, ministër i së cilës është Aleksandar Vulin, udhëheqës i Partisë së Lëvizjës Socialiste.

Aleksandar Jablanoviq dha dorëheqje në fund të muajit janar nga detyra e sekretarit të shtetit pasi në makinën zyrtare të Qeverisë së Serbisë u arrestua vëllai i tij Marko Jablanoviq.

Në kumtesën dërguar mediave, Jablanoviqi ka deklaruar se “për hir të nderit të tij dhe nderit të bashkëpunëtorëve të tij” merr përsipër gjithë përgjegjësinë se ka lejuar që atë ditë në makinën zyrtare të ndodhen i vëllai i tij me bashkëshorten por asesi nuk I pranon “akuzat e rreme” s enë makinën e tij zyrtare janë kryer vepra penale dhe është shitur drogë.

XS
SM
MD
LG