Ndërlidhjet

Ideja e Thaçit për dialog të brendshëm, vështirë e realizueshme


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Dialogu i brendshëm politik i paralajmëruar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për zgjidhjen e çështjeve, për të cilat nuk ka pajtueshmëri ndërmjet faktorëve politikë në vend, shihet me rezerva nga njohësit e zhvillimeve politike në vend, shqiptarë dhe serbë.

Përkushtimin për dialog, në nivele të ndryshme, presidenti Thaçi e ka paralajmëruar që nga fillimi i mandatit të tij, thekson Ardian Arifaj, këshilltar politik i presidentit. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai ka theksuar se presidenti do të jetë adresa në të cilën mund të kërkohet dialogu, si dhe ai do të jetë protagonist për të ndërmjetësuar ndërmjet palëve, për promovimin e dialogut si mjet për zgjidhjen e problemeve që i ka vendi.

Mbi këtë frymë, sipas tij, pritet të zgjidhet edhe çështja e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, të cilin transformim e kundërshtojnë përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës në institucionet e vendit.

Prandaj është i nevojshëm dialogu gjithmonë dhe sigurisht që si rezultat i këtij dialogu do të gjenden gjithmonë zgjidhjet, që ndoshta nuk janë gjithmonë, qind për qind, të kënaqshme për njërën palë apo për palën tjetër. Por, e mira është që me anë të dialogut të gjenden zgjidhjet dhe jo me format tjera, jo me imponim të zgjidhjeve, të ideve, por, me anë të një dialogu në mes të disa palëve, duke marrë parasysh interesat, shqetësimet e secilës palë dhe duke gjetur një zgjidhje që është më e pranueshmja për të gjitha palët”.

Politologu Belul Beqaj, profesor i shkencave politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se kërkesa për dialog të brendshëm është e natyrshme dhe e qëndrueshme, por, sipas tij, kjo kërkesë nuk mund të vihet në praktikë, përderisa, siç thotë ai, “presidenti Thaçi ka kontribuar më së shumti në ndasitë e krijuara në skenën politike dhe shoqërore”.

Situata është shumë më komplekse sesa që mendojmë ne. Kur flasim për dialogun e brendshëm, unë kryesisht po mendoj për subjektet politike shqiptare brenda Kosovës. Brenda Kosovës janë edhe pakicat, posaçërisht komuniteti serb. Por, komuniteti serb ka kohë që ka dalë jashtë mendimit dhe ndikimit të brendshëm. Ata janë drejtpërdrejtë pjesë e dialogimit të jashtëm, pra, dialogimit me Serbinë. Personi i cili nuk ka arritur t’i bëjë unik shqiptarët brenda Kosovës, nuk ka gjasë teorike që ta bëjë një unitet dhe dialogim edhe me serbët, të cilët janë instrumente të Beogradit”.

Njohësi i zhvillimeve politike, Rangjel Nojkiq, ish deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, duhet t’i qasen këtij dialogu të brendshëm. Por, sipas tij, lidhur me çështjen e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, vështirë se do të gjendet gjuhë e përbashkët për një zgjidhje.

Mendoj se këtu do të jetë shumë vështirë që të gjendet zgjidhja, ndonëse unë mendoj që serbët duhet të marrin pjesë aktivisht në gjithë këtë rrëfim. Por, ne tash kemi edhe disa sinjale nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët në njëfarë mënyre janë kundër transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës. Serbët do ta shfrytëzojnë maksimalisht këtë situatë dhe të veprojnë. Në qoftë se Prishtina zyrtare nuk e gjen mënyrën, që kërkesën për transformimin e FSK-së ta bëjë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, atëherë mendoj se nuk do të mund të arrihet ndonjë marrëveshje”, tha Nojkiq.

Presidenti Thaçi ka porositur se institucionet e Kosovës “kanë në dispozicion kohën e mjaftueshme që bashkërisht të bëjnë edhe një përpjekje të fundit që të sigurojmë përkrahjen e të gjitha komuniteteve për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese”.

Hapat në vijim, sipas tij, do të përfshijnë bisedimet me serbët e Kosovës, që edhe ata të jenë pjesë e procesit të ndryshimeve kushtetuese dhe themelimit të Forcave të Armatosura. (REL)

XS
SM
MD
LG