Ndërlidhjet

Tillerson javën e ardhshme do të vizitojë Moskën


Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson
Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, do të vizitojë Moskëm më 11 dhe 12 prill, për të biseduar me homologun e tij rus, Sergei Lavrov.

Kështu ka njoftuar sot Ministria e Jashtme ruse dhe Departamenti i Shtetit. Kjo do të jetë vizita e parë e Tillersonit në Moskë, në postin e Sekretarit amerikan të Shtetit.

Ende është e paqartë nëse Tillerson do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin.

Departamenti i Shtetit ka thënë se vizita është “pjesë e përpjekjeve tona për të mbajtur linja direkte të komunikimit me zyrtarët rusë dhe të sigurohemi që qëndrimet e SHBA-së të jenë të qarta, përfshirë edhe hapat e mëtejmë në kuadër të zbatimit të Minskut”, një referencë kjo për procesin e zgjidhjes së konfliktit në lindje të Ukrainës.

Dy deklaratat për media kanë thënë se takimet do të fokusohen në sigurinë globale, Sirinë, Korenë e Veriut, Ukrainën dhe çështje të tjera.

Në deklaratë ruse thuhet se Rusia “ka vlerësuar pozitivisht përpjekjet e administratës së re amerikane për të përmirësuar raportet” me Moskën, duke shtuar se është e nevojshme “që të hiqen shumë pengesa irrituese në marrëdhëniet dypalëshe, siç janë arrestimet e qytetarëve rusë në vendet e treta nga ana e shërbimeve speciale amerikane, shkeljet e të drejtave të fëmijëve rusë të adoptuar në SHBA si dhe krijmi i pengesave artificiale, për të penguar diplomatët tanë që të kryejnë detyrat e tyre”.

Vizita e Tillersonit vjen pas tensionimit të raporteve për sulmin e dyshuar kimik në Siri, për të cilin, SHBA dhe vende të tjera, fajësojnë qeverinë e presidentit sirian Bashar al-Assad.

Moska, në anën tjetër, ka qëndruar përkrahë aleatit të saj në Lindjen e Mesme, Sirisë, duke thënë se avionët luftarakë sirianë, kanë goditur një fabrikë me armë kimike.

XS
SM
MD
LG