Ndërlidhjet

Të paktën katër viktima në Stockholm, policia arreston një të dyshuar

  • RFE /RL

Stokholm, 7 prill 2017.

Policia suedeze thotë se ka arrestuar një person në afërsi të aeroportit ndërkombëtar të qytetit, pas një sulmi të dyshuar terrorist në Stockholm me ç’rast u vranë katër persona, por nuk tha nëse beson se ai ishte shoferi i kamionit të vjedhur që goditi turmën në një dyqan të populluar në qendër të qytetit.

Policia, të premten, tha se ka arrestuar një person “për të cilin ishte e interesuar veçanërisht” pas sulmit, nga I cili u plagosën 15 persona.

Policia tha se i arrestuari ngjan me një person nga një fotografi që u publikua nga autoritetet më herët gjatë ditës marrë nga kamerat e vëzhgimit në afërsi të skenës së sulmit. Në fotografi shihej një burrë me një xhaketë të gjelbër ushtarake në shkallët lëvizëse.

Jan Evensson nga policia e Stockholmit iu tha gazetarëve se i dyshuari u arrestua në paralagjet e Stockholmit në veri, në Marsta, në afërsi të aeroportit ndërkombëtar Arlanda. Ai i bëri thirrje publikut që të ofrojë informata për njeriun në fotografi.

Ai tha se burri ishte në “afërsi të vendit” kur kamioni u ndesh rreth orës 15 sipas orës lokale.

E përditshmja Aftonbladet më herët ka bërë të ditur se një person me “lëndime të lehta” ishte arrestuar në Marsta dhe ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Radio Suedia njoftoi se policia nuk beson se ai ishte shoferi i kamionit por u mor në pyetje në ndërlidhje me sulmin, megjithëse policia zyrtarisht nuk dha hollësi.

Policia tha më herët se po merrte në pyetje dy persona në ndërlidhje me sulmin por tërhoqi vërejtjen se ata jo domosdo ishin të dyshuar. Nuk është e qartë nëse personi i arrestuar ishte njëri nga ata që po merrej në pyetje.

'Suedia u sulmua'

Agjencia e Inteligjencës e Suedisë Sapo e përshkroi incidentin si "sulm".

"Ka të vdekur dhe shumë të plagosur", tha zëdhënësja e Sapo-s, Nina Odermalm, për AFP-në.

Kryeministri suedez, Stefan Lofven, tha se "Suedia është sulmuar", dhe se të gjitha shenjat tregojnë për një "sulm terrorist".

Policia po ashtu tha se ka marrë raporte të pakonfirmuara për të shtëna me armë zjarri.

Në deklaratë thuhet se policia po e trajton rastin si incident terrorist, edhe pse shkaku nuk është përcaktuar ende.

Incidenti ka ndodhur në afërsi të zonës së këmbësorëve Drottninggatan në fillim të pasdites.

Autoritetet e rendit u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin qendrën e qytetit.

Mediat suedeze raportojnë se sistemi i metrosë është mbyllur.

Në Evropë ka pasur disa sulme terroriste, muajve të fundit, të cilat janë kryer me automjete të ndryshme, duke u përplasur për turma.

Përgjegjësinë për to e kanë marrë militantët e të ashtuquajturit Shtet Islamik.

Pesë persona u vdiqën si pasojë e një sulmi me thikë dhe makinë në Londër, më 22 mars.

Më 19 dhjetor, 12 persona u vranë dhe 48 u plagosën, kur një kamion u përplas për njerëz në një treg të Krishtlindjeve në Berlin.

Në korrik të 2016-ës, 86 persona u vranë kur një kamion u përplas për turmën në qytetin francez të Nicës.

XS
SM
MD
LG