Ndërlidhjet

Në rrjetet sociale shfaqen grupe nacionaliste në ‘mbrojtje të shtetit’


Ilustrim

Në rrjetet sociale në Maqedoni janë shfaqur grupe të cilat e quajnë veten “patriotë në mbrojtje të Maqedonisë” që ftojnë për protesta përmes thirrjeve nacionaliste.

Varësisht nga zhvillimet dhe vendimet politike që merren brenda ditës, grupet aktivizohen, por ajo që bie në sy është veprimi i tyre i madh kur në Maqedoni qëndrojnë diplomatët e huaj ose kur bëhen përpjekje për të zhbllokuar punën e parlamentit, thonë njohës të zhvillimeve politike në vend.

Drejtuesit e këtyre grupeve, të cilët në protesta mbajnë bluza të zeza me simbole fetare, thonë se janë të gatshëm që të përdorin edhe dhunën në funksion të, sic thonë, ‘mbrojtjes së shtetit në kuadër të frontit kombëtar maqedonas’.

Lubomir Gjurçevski, ish zyrtar i lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë për Radion Evropa e Lirë thotë se të gjitha këto organizata patriotike të cilat gjithnjë e më shumë aktivizohen në rrjetet sociale dhe u jepet hapësirë edhe në disa media të caktuara, duhet parë më me seriozitet nga ana e organeve përkatëse të sigurisë.

Kjo sepse, sic thotë ai, në mesin e tyre tanimë është bërë e qartë se ka pjesëtarë të kompanive për sigurimin e objekteve dhe të njëjtit posedojnë armë me leje dhe mund të bëhen të rrezikshëm nëse situata del nga kontrolli.

‘Shfaqja e nacionalizmave’ thekson Gjurçevski ‘paraqet rrezik të madh veçanërisht në një shtet multietnik sic është Maqedonia ku raportet ndëretnike qëndrojnë në këmbë të qelqtë.

“Shfaqjen e grupeve paramilitare e paralajmërova që në vitin 2014 me ndryshimin e ligjit që rregullon punën e agjencive që merren me patundshmëritë dhe personat fizikë. Një numër i madh i këtyre personave të punësuar në këto agjenci, falë ndërhyrjes së politikës, pa asnjë kriter fituan të drejtën për të poseduar armë".

"E ritheksoj se si të vetmin kriter bazë për të marrë licencë, këto agjenci sigurimi, kishin lidhjet e forta me drejtuesit e policisë. Tani kur duhet të bëhet transferimi i pushtetit, këto agjenci sigurimesh mund të keqpërdoren duke u transferuar në forca paramilitare”, tha Gjurçevski .

Sipas tij, ‘strukturat aktuale në pushtet dëshirojnë që vendin ta shtyjnë në një gjendje kaotike sepse në kushte kaosi nuk mund të zhvillohen hetimet për të dëshmuar përfshirjen e zyrtarëve të lartë të shtetit në aktivitete kriminale’.

Nga ana tjetër, Mirjana Najcevska ish kryetare e Komitetit të Helsinkit në Maqedoni, thotë se nevojitet reagim i menjëhershëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Prokurorisë Publike, me vet faktin se “kemi të bëjmë me një situatë të ndjeshme ku këto grupe të ashtuquajtura patriotike bëjnë thirrje për të ushtuar dhunë ndaj një etniteti të caktuar, në rastin konkret kundër shqiptarëve, siç thonë në mbrojtje të shtetit dhe të karakterit unitar të shtetit”.

“Në këtë situatë për momentin nuk jemi duke parë asnjë reagim nga ana e organeve kompetente dhe kjo e bën shumë relevante rrezikun për të pasur incidente. Kur këto grupe ta shohin se askush nuk ndërmerr masa për të sanksionuar veprimet e tyre , atëherë ata inkurajohen për të ndërmarrë edhe më shumë veprime të dhunshme. Pas kësaj çdo reagim i shtetit do të jetë i vonuar”, tha Mirjana Najcevska.

Ndërkohë zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk kanë dhënë asnjë deklaratë për praninë e grupeve të tilla në rrjetet sociale dhe thirrjeve të tyre “nacionaliste në mbrojtje”, siç thonë, “të shtetit dhe kundër shtrirjes më të gjerë të gjuhës shqipe”. (REL)

XS
SM
MD
LG