Ndërlidhjet

Tillerson dhe ministrat e G7-ës do të bisedojnë edhe për Sirinë


Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson
Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson ka arritur në Itali, ku do të takohet me ministrat e jashtëm të G7-ës, me të cilët do të bisedojë për krizën në Siri.

Mediat italiane kanë cituar ministrin e Jashtëm italian, Angelino Alfano, të ketë thënë se në mbledhje kushtuar Sirisë, do të bëhet thirrje për parandalimin e “përshkallëizmit të rrezikshëm ushtarak”, në konfliktin sirian, pas sulmit të SHBA-së ndaj një baze ajrore siriane.

Ky takim vjen pasi Shtetet e Bashkuara, më 7 prill, sulmuan një bazë ajrore siriane, në përgjigje ndaj Damaskut për një sulm të dyshuar kimik mbi civilët.

Tillerson pritet që t’iu tregojë homologëve të G7-ës për politikën e SHBA-së për Sirinë.

Përveç anëtarëve të G7-ës, ministrat e jashtëm të Turqisë, Emirateve të Bashkuara Arabe, Arabisë Saudite, Jordanisë dhe Katarit, po ashtu pritet të marrin pjesë në këtë mbledhje.

Grupi i G7 përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Japonia, Gjermania, Britania e Madhe, Italia, Franca dhe Kanadaja. Rusia ishte pjesë e G8-ës por u përjashtua nga ky grup pas aneksimit të paligjshëm të gadishullit ukrainas të Krimesë më 2014.

Gjatë fushatës, Donald Trump kishte thënë se administrata e tij, do të jetë më pak ndërhyrëse sesa administrata paraprake

Megjithatë, Trump pas sulmit kimik të 4 prillit kishte deklaruar se qëndrimi i tij ndaj Assadit “kishte ndryshuar shumë”.

Përderisa shumë aleatë të SHBA-së kanë shprehur përkrahjen e tyre për sulmin me raketa mbi bazën ajrore siriane, ata gjithashtu kanë pyetur nëse kjo është sinjal për ndryshim të madh të politikës dhe nëse Uashingtoni është duke i dhënë prioritet largimit nga pushtetit të presidentit sirian, Bashar al-Assad, si parakusht për arritjen e paqes në Siri.

"Amerikanët thonë se pajtohen, por asgjë nuk ka që të shihet prapa. Ata nuk janë të pranishëm dhe po navigojnë pa synime në errësirë”, ka cituar agjencia e lajmeve Reuters një diplomat të lartë evropian që nuk pranoi të identifikohej.

Gazeta londineze, The Sunday Time, ka raportuar se Britania do të kërkojë sanksione të reja ndaj Rusisë, nëse Moska refuzon që të ndërprerjë raportet me Assadin.

The Times ka raportuar se Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson dëshiron që G7 të dalë me një deklaratë të përbashkët, ku do të thuhej që Rusia duhet t’i jap fund mbështetjes së regjimit të Assadit, të tërheq forcat e saj nga Siria dhe të lejojë rikthimin e konvojeve me ndihma humanitare.

Nëse presidenti rus, Vladimir Putin refuzon, sanksionet e reja duhet të vendosen ndaj Rusisë, me qëllim që “t’u bëhet më e vështirë jeta”, zyrtarëve qeveritarë, raporton The Times.

Pas takimit të G7 në qytetin Lucca të Italisë, Tillerson është paraparë që të vizitojë Moskën, ku pritet të bisedojë me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, në atë që pritet të jenë bisedime shumë të tensionuara.

Rusia, së bashku me Iranin, mbështesin qeverinë e presidentit sirian Bashar al-Assad, ndërkaq, Shtetet e Bashkuara dhe Turqia përkrhain rebelët antiqeveritar. (REL)

XS
SM
MD
LG