Ndërlidhjet

McMaster: Luftimi i IS-it dhe largimi i Assadit janë qëllimet e SHBA-së


H.R. McMaster

H.R. McMaster, këshilltari për siguri kombëtare i presidentit Donald Trump, thotë se SHBA dëshiron ta mposhtë grupin militant Shteti Islamik në Siri dhe sheh se presidenti i këtij shteti, Bashar al-Assad do të largohet nga pushteti.

Megjithatë, ai ka thënë se SHBA nuk është duke shikuar të ndërmarrë ndonjë veprim që vet ta rrëzojë Assadin nga pushteti.

“Është e vështirë të kuptohet se si një zgjidhje politike mund të rezultojë me vazhdimin e regjimit të Assadit”, ka thënë McMaster në një intervistë televizive.

“Çfarë po themi është se vendet e tjera duhet t’i bëjnë vetes disa pyetje të vështira. Rusia duhet ta pyes veten.... Pse po e mbështesim këtë regjim vrastar që është duke kryer vrasje masive të popullatës së vet”, ka thënë ai.

Liderët amerikanë kanë dërguar mesazhe të ndryshme për prioritetet e administratës Trump në konfliktin sirian. Më herët është thënë se largimi i Assadit nga pushteti nuk është qëllimi i tyre kryesor.

Por pas sulmit kimik më 4 prill, që u krye nga qeveria siriane, Trump ka thënë se qëndrimi i tij ndaj Assadit “ka ndryshuar shumë” dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson ka thënë se janë duke “u ndërmarrë hapa”, për të organizuar një koalicion për heqjen e Assadit nga pushteti.

McMaster është pyetur që të sqarojë qëllimet e SHBA-së në Siri, ai tha se qëllimet kryesore janë luftimi i IS-it dhe largimi i Assadit.

XS
SM
MD
LG