Ndërlidhjet

Debati në Parlamentin e Maqedonisë për zgjedhjen e kryetarit të ri të këtij institucioni, që u propozua nga shumica e re parlamentare Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët, vazhdon të zgjatet përmes pengesave procedurale të VMRO- DPMNE-së.

Social Demokratët në foltoren e parlamentit në vazhdimin e dhjetë të seancës parlamentare thanë se deputetët e VMRO DPMNE do të vazhdojnë të mos e përfillin rregulloren e punës së institucionit ligjvënës duke bllokuar kështu zgjedhjen e kryetarit të ri të Parlamentit të Maqedonisë gjersa të marrin një garanci përkatësisht siç thonë “një fletë e bardhë në të cilën do të shkruhet se amnistohet Nikolla Gruevski për krimet që ka bërë”

“Bllokimi i zgjedhjes së kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë ka për qëllim që të mbrojë të gjithë ata të cilët kanë kryer aktivitetet kriminale dhe më e keqja është se akoma vazhdohet me krim përmes shpalljes së tenderëve në formë joligjore. Tani zhvillohet beteja që Maqedonia të shpëtojë nga vjedhja e pa skrupull e atyre që me vite e kanë uzurpuar shtetin“, ka theksuar deputetja e LSDM-së Radmilla Shekerinska.

Sipas saj, demokracia në vend “po shkelet sepse VMRO DPMNE nuk dëshiron ta përfillë shumicën parlamentare dhe VMRO DPMNE pasi më nuk i ka numrat, të shkojë në opozitë dhe t’i çlirojë institucionet nga uzurpimi partiak”.

Nga ana tjetër deputetët e VMRO DPMNE -së vazhdojnë të fokusojnë debatin në funksion të mbrojtjes së shtetit nga siç kanë theksuar implementimi i “Platformës së Tiranës” së firmosur nga partitë politike shqiptare përmes së cilës siç kanë theksuar Zoran Zaev dëshiron të bëhet kryeministër.

“Që të mos kemi destabilizim të shtetit, mos të kemi probleme, trazira ka një zgjidhje të thjeshtë. Ajo është; të shpaloset gjithçka për çka është arritur ujdi në Tiranë. Qytetarët duhet të jenë të informuar. Kërkojmë të shkohet sërish në zgjedhje dhe ajo platformë të marrë dhe pëlqimin e qytetarëve dhe pastaj Zaevi nëse arrinë të fitojë zgjedhjet të bëhet kryeministër dhe jo duke premtuar rrymë më të lirë, rritjen e pagës minimale ose heqjen e testimit ekstern për nxënësit e shkollave të mesme dhe atyre fillore dhe tash të futet në pushtet përmes platformës së një shteti të huaj”, ka theksuar Ilia Dimovski deputet i VMRO DPMNE-së.

Ndërkohë, Brukseli ka ripërsëritur qëndrimin se Komisioni Evropian pret që të gjithë liderët politik dhe institucionet në Maqedoni të lejojnë që të zhvillohen proceset demokratike, që sipas BE-së, të prezantuara nga zëdhënësja e KE Maja Kocijançiq, nënkupton zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit e më pas edhe Qeverinë e re pa humbur kohë.

“Ne jemi duke ndjekur zhvillimin e ngjarjeve dhe në vazhdimësi flasim se si duhet të respektohen rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe ngecja e tanishme dhe Qeveria duhet të vendosen pa humbje kohe, bazuar në shumicën parlamentare e cila ekziston".

"E dini se të dy, edhe përfaqësuesja e lartë dhe komisioneri Hahn kanë i kanë bërë thirrje kryetarit që të shqyrtojë pozicionin e tij. Ne tani presim që liderët politik dhe institucionet të lejojnë proceset demokratike të zhvillohen, ndërsa kjo përfshinë edhe përzgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, që ne dëshirojmë ta shohim pa anulime”, ka thënë Kocijançiq.

Ndryshe, katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të cilët erdhën si rrjedhojë e krizës së thellë politike pas publikimit të bisedave të përgjuara mbetet e bllokuar seanca për zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit dhe konsolidimi i organeve të institucionit ligjvënës. (REL)

XS
SM
MD
LG