Ndërlidhjet

McCain: Zhvillimet në Evropën Lindore kanë rëndësi të madhe për SHBA-të


Pamje nga takimi i sotëm i senatorit McCain me kryeministrin Vuçiq në Beograd

Senatori amerikan, John McCain, ka thënë sot në Beograd se çdo gjë që ndodhë në pjesën lindore të Evropës është e rëndësisë jetike për sigurinë e Shteteve të Bashkuara.

Në konferencën e some për shtyp në Beograd, së bashku me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, zoti McCain tha se është biseduar për atë se dy luftëra botërore kanë filluar në rajonin e Evropës Lindore dhe se nuk guxon të lejohet që të krijohet situatë në të cilën mund të përkeqësohet gjendja në rajon.

Senatori McCain tha se shpreson se do të ketë zgjidhje paqësore, raporton agjencia Beta.

“Pas kthimit në Shtetet e Bashkuara, mesazhi për kolegët e mi në Senat, presidentin dhe popullin amerikan, është se çdo gjë që ndodhë në pjesën lindore të Evropës është me interes jetik për sigurinë kombëtare të SHBA-ve”, tha McCain.

Nga ana tjetër, i pyetur nga gazetarët se a ka kërkuar senatori McCain, që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, dhe t’i mbështesë sanksionet kundër Rusisë, kryeministri, Aleksandar Vuçiq, tha se me zotin McCain është biseduar “sinqerisht dhe hapur”, por asnjëra prej këtyre çështjeve nuk është inicuar “në këtë mënyrë”.

“Kam thënë se ne dëshirojmë neutralitet ushtarak. Kemi bashkëpunim partneriteti me NATO-n, bëjmë ushtrime uhstarake edhe me rusët dhe me amerikanët. Dëshirojmë lidhje të mira me Rusinë, por nga aspekti strategjik gjendemi në rrugën evropiane. Kjo është politika jonë reale, prandaj Serbia është partner i besueshëm dhe për këtë arsye na respektojnë në Moskë, Uashington dhe Bruksel”, tha Vuçiq.

Mëtutje, ai ka theklsuar se senatorin amerikan e ka njoftuar me sfidat me të cilat ballafaqohet Beogradi në vazhdimin e procesit të dialogut me shqiptarët e Kosovës.

XS
SM
MD
LG