Ndërlidhjet

Putin: Ka plane për “sulme të rreme” me gaz në Siri


Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se Kremlini ka informacione se ekzistojnë plane për sulme të rreme kimike në Siri.

Në një konferencë për media në Moskë, së bashku me presidentin e Italisë, Sergio Mattarella, Putin tha se Rusia do t’i tolerojë kritikat e Perëndimit për rolin e saj në Siri, porse shpreson se qëndrimet do të zbuten.

I pyetur nëse pret sulme të reja raketore nga SHBA-ja në Siri, Putin tha:

“A janë të mundshme sulmet e reja? Kemi informacione nga burime të ndryshme se provokime të ngjashme – nuk mund t’i quaj ndryshe – po përgatiten në rajone të tjera të Sirisë, përfshirë rrethinat jugore të Damaskut. Ka plane për vendosjen e disa substancave dhe pastaj fajësimin e autoriteteve siriane për përdorimin e tyre”.

Putin nuk ofroi asnjë dëshmi për këtë pohim.

Rusia ka mbrojtur Qeverinë e Sirisë përballë akuzave të SHBA-së se ajo qëndron prapa sulmit me gaz nervor që ka ndodhur javën e kaluar në provincën Idlib. Mbi 80 veta kanë humbur jetën nga ky sulm.

Por, Moska këmbëngul se nuk ka prova për të mbështetur një akuzë të tillë.

Putin tha të martën se Rusia do të kërkojë urgjentisht nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike të hetojë incidentin.

XS
SM
MD
LG