Ndërlidhjet

Zëri i Amerikës

Senatori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John McCain, vizitoi Shqipërinë të premten, në vijim të turit zyrtar nëpër disa kryeqytete të Ballkanit.

Senatori McCain, i cili shërben si kryetar i Komitetit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, u takua me Presidentin Bujar Nishani, Kryeministrin Edi Rama, Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta dhe udhëheqësin e opozitës Lulzim Basha. Senatori McCain po ashtu vëzhgoi ushtrime ushtarake dhe u takua me anëtarë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Senatori McCain, sipas një njoftimi të ambasadës amerikane në Tiranë, në këto takime theksoi partneritetin ushtarak SHBA-Shqipëri, rëndësinë e reformës në drejtësi në vend, si dhe përpjekjet për të mundur ISIS.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, theksoi në takimin me të se Shqipëria do të vazhdojë të japë ndihmesën e saj dhe të përmbushë përgjegjësitë ushtarake dhe financiare në kuadër të NATO-s.

Ai e siguroi Senatorin McCain se Shqipëria dhe forcat e saj të armatosura do të vazhdojnë ta luajnë këtë rol edhe në të ardhmen.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, dhe Senatori John McCain, biseduan mbi partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA, situatën politike në vend dhe mbi zhvillimet e fundit në rajon.

Zoti Meta theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit shqiptaro-amerikan në shërbim të forcimit të kredencialeve demokratike të Shqipërisë dhe të paqes e qëndrueshmërisë së rajonit.

Gjatë diskutimit mbi zhvillimet e fundit në rajon, Kryetari i Kuvendit Meta dhe Senatori McCain ndanë bindjen se Shqipëria si anëtare e NATO-s dhe aleate besnike e SHBA-ve duhet të rrisë kontributin buxhetor në fushën e mbrojtjes, duke nënvizuar se investimi në fushën e sigurisë dhe kontrollit të kufijve ndihmon forcimin e stabilitetit dhe klimën e investimeve ekonomike në Ballkan.

Kryeministri Edi Rama shkroi nw rrjetet sociale pas takimit me zotin McCain se kishte biseduar për “120 minuta të paharrueshme me një mik të madh të shqiptarëve dhe një mbështetës besnik të Shqipërisë në rrugën e reformave që bëjnë shtet”.

Senatori McCain u takua po ashtu me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Zoti Basha i përcolli senatorit shqetësimin për “gjendjen kritike të vendit” në raport me sigurinë dhe krimin e organizuar për shkak të “shumëfishimit galopant të kultivimit dhe trafikut të drogës” dhe pranisë së personave me rekorde të rënda kriminale në parlament, bashki dhe funksione të larta publike.

*Ky tekst fillimisht u publikua në faqen e VOA Shqip

XS
SM
MD
LG