Ndërlidhjet

Nënpresidenti amerikan, Mike Pence do të nisë turneun e tij në rajonin e Azi-Paqësorit, pas rritjes së tensioneve në Korenë Veriore, për shkak të lansimit të raketave dhe programit bërthamor.

Pence pritet të arrijë në Korenë e Jugut më 16 prill. Ai do të vizitojë edhe Japoninë gjatë turneut të tij dhjetëditor.

Udhëtimi i tij në rajonin e Azi-Paqësorit, vjen pas indikacioneve se Koreja e Veriut mund të jetë duke përgatitur testin e gjashtë bërthamor ose lansimin e ndonjë rakete, që mund të jetë testimi i parë i një rakete balistike interkontinentale.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump u ka thënë gazetarëve këtë javë se “Koreja e Veriut është problem. Problemi do të zgjidhet”.

Ai vazhdimisht ka deklaruar se nëse Kina, që është partneri kryesor tregtar i Koresë së Veriut, nuk ka vullnet që të bëjë më shumë për të zgjidhur problemin e Veriut, SHBA do ta marrë këtë çështje në duart e veta.

Këto komente ai i ka bërë përderisa avionmbajtësit e SHBA-së janë nisur për në Gadishullin Korean. Sidoqoftë, zyrtarët ushtarakë kanë thënë se SHBA nuk ka për qëllim që të përdor forcë ushtarake ndaj Koresë së Veriut, si përgjigje për testet bërthamore dhe lansimit të raketave nga Pheniani.

XS
SM
MD
LG