Ndërlidhjet

Forcat irakiane nisin një ofensivë të re në Mosul


Mosul
Mosul

Forcat irakiane kanë nisur një sulm të ri ndaj militantëve të Shtetit Islamik në Qytetin e Vjetër të Mosulit, kanë thënë zyrtarët ushtarakë.

Mosuli, qyteti i dytë më i madh i Irakut, ra nën kontrollin e IS-it më 2014, por forcat qeveritare në ofensivën e nisur 6 muaj më parë, kanë arritur të marrin shumicën e kontrollit të qytetit.

Përparimi i forcave qeveritare është bërë më i vështirë, pasi në Qytetin e Vjetër të Mosulit, ku gjenden militantët e IS-it, për shkak të rrugëve të ngushta dhe gjarpërore, nuk mund të hyjnë tanket dhe makineria tjetër e rëndë ushtarake.

Në deklaratën e forcave irakiane thuhet se trupat e tyre kanë arritur të depërtojnë 200 metra në Qytetin e Vjetër, dhe i janë afruar xhamisë al-Nuri.

Kjo xhami ka rëndësi të madhe simbolike, pasi prej aty lideri i IS-it, Abu Bakr al-Baghdadi shpalli kalifatin islamik.

“Sulmuesit vetëvrasës me motoçikleta tashmë janë arma e preferuar e Daesh-it brenda Qytetit të Vjetër”, ka thënë një kapiten i policisë irakiane, i cili i është referuar IS-it me akronomin arab.

Vlerësohet se rreth 400 mijë persona janë ende në Qytetin e Vjetër të Mosulit, ndërkaq, 300 mijë të tjerë janë larguar që prej se ofensiva në Mosul filloi në tetor.

Trupat irakiane e kanë shpallur të çliruar pjesën lindore të Mosulit dhe tash janë duke zhvilluar beteja të ashpëra për të marrë nën kontroll edhe pjesën perëndimore të qytetit.

XS
SM
MD
LG