Ndërlidhjet

Putin e uron Erdoganin për fitore në referendum


Putin (majtas) dhe Erdogan gjatë takimit në Moskë më 10 mars të këtij viti
Putin (majtas) dhe Erdogan gjatë takimit në Moskë më 10 mars të këtij viti

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka uruar presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, për fitore në referendum, me të cilin do të zgjerohen kompetencat e tij, ka njoftuar Kremlini dhe kanë raportuar mbrëmë mediat shtetërore turke.

Presidenca e Rusisë tha se Putin i ka telefonuar Erdoganit dhe e ka uruar për “udhëheqjen e suksesshme” të referendumit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, po ashtu, e ka uruar Erdoganin për fitoren e tij në referendum, rezultati i të cilit është kundërshtuar nga opozita në Turqi dhe është pritur në mënyrë të ftohtë në Evropë.

Mediat turke raportuan se Putin dhe Erdogan kanë theksuar rëndësinë e normalizimit të lidhjeve dhe mbajtjen e armëpshimit në Siri, që ishte ndërmjetësuar së bashku nga Ankaraja dhe Moska, në fillim të këtij viti.

Të dy palët kanë bërë thirrje për hetime të pavarura lidhur me sulmin e dyshuar kimik në Siri, më herët këtë muaj, nga i cili janë vrarë 89 vetë, ka njoftuar Kremlini.

Ankaraja ka thënë se gazi vdekjeprurës sarin ishte përdorë nga regjimi i presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, por ky qëndrim është kundërshtuar nga Rusia.

XS
SM
MD
LG