Ndërlidhjet

KDI: Asociacioni ndikon në përkeqësimin e raporteve ndëretnike


KDI
KDI

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund t’i përkeqësoj tutje raportet mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, thuhet në rezultatet e një sondazhi të publikuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Në këtë sondazh, KDI ka adresuar çështjet kryesore dhe më të debatuara në Kosovë që ndërlidhen me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Aty përmendet shtrirja e sistemit të drejtësisë në tërë territorin e vendit, shpërbërja e strukturave paralele serbe, shtrirja e sovranitetit të institucioneve të Kosovës në tërë territorin e vendit si dhe ndikimin e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në marrëdhënien ndëretnike.

Me këtë rast Jeta Krasniqi nga KDI, duke u thirrur në të gjeturat e këtij sondazhi ka thënë se pjesa më e madhe e qytetarëve, përkatësisht 46 për qind e të anketuarve, vlerësojnë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të ndikojë në përkeqësimin e raporteve ndëretnike.

“Gjysma e qytetarëve të Kosovës, përkatësisht 51 për qind, vlerësojnë se dialogu Kosovë-Serbi nuk ka ndikuar që Kosova të shtrijë sovranitetin e saj në veri të vendit. Janë vetëm 4 për qind e qytetarëve që vlerësojnë se dialogu Kosovë-Serbi ka pasur ndikim në këtë aspekt”, ka thënë ajo.

KDI vlerëson se Qeveria e Kosovës duhet të garantojë një qasje gjithpërfshirëse dhe një transparencë të plotë për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke shtjelluar në detaje kompetencat e këtij mekanizmi, dhe duke garantuar një debat të mirëfilltë shoqëror rreth efekteve të tij.

Rezultatet e sotme, ishin të tretat me radhë që KDI ka prezantuar në lidhje me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

XS
SM
MD
LG