Ndërlidhjet

Thaçi: Deklaratat e zyrtarëve të BE-së, bajate dhe të gërditshme


Hashim Thaçi
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka adresuar kritika të ashpra në drejtim të zyrtarëve të Bashkimit Evropian. Duke u ndërlidhur me mesazhet e zyrtarëve të BE-së, të cilët e qortuan në mënyrë indirekte Thaçin për deklaratat e tij për bashkimin e shqiptarëve në një shtet nëse Brukseli nuk ofron perspektivën integruese evropiane për Kosovën, Thaçi tha se zyrtarët e BE-së po bëjnë deklarata të gërditshme.

“Kërcënim për Bashkimin Evropian është nacionalizmi serb, është Beogradi i cili është duke punuar në destabilizimin e rajonit dhe instalimin e ndikimit të fuqishëm të Rusisë në Serbi, prej bazave ushtarake deri në MIG-at rus dhe kjo përkëdhelje dhe deklarime nga zyrtarët e Bashkimit Evropian për Beogradin janë shumë bajate, shumë të gërditshme dhe neveritëse”, ka thënë Thaçi.

“Njëherësh, këto deklarata janë të papranueshme për Kosovën, në veçanti në këtë vonesë të pajustifikueshme në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën”, ka nënvizuar presidenti i Thaçi.

Ishte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ai i cili kishte deklaruar se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën nuk mund të përjashtohet nëse perspektiva për anëtarësimin e Ballkanit në BE, venitet.

Më pas, edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte deklaruar se mbyllja e dyerve për Kosovën në Bashkimin Evropian, do t’i detyronte ata që të jetonin në një hapësirë të vetme në rajon.

Por, komisioneri për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, i ka cilësuar ‘të papranueshme’ dhe ‘kundërproduktive’ deklaratat e liderëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor që implikojnë ndryshimet e kufijve.

XS
SM
MD
LG