Ndërlidhjet

Papa kërkon ndërmjetësim ndërkombëtar për krizën me Korenë e Veriut


Papa Françesku
Papa Françesku

Papa Françesku ka thënë se “një pjesë e mirë e njerëzimit” do të shkatërrohet nëse do të ndodhë një luftë e madhe ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut. Ai ka shtuar se një shtet i tretë duhet të bëhet ndërmjetësues i këtyre dy rivalëve.

Këto komente, Papa Françesku i bëri pas kthimit në Romë nga vizita në Egjipt.

Tensionet në Gadishullin Korean janë rritur pas provave të vazhdueshme të raketave balistike nga Koreja e Veriut që janë në kundërshtim me rregullat e Kombeve të Bashkuara.

Pheniani, gjithashtu, ka testuar armë bërthamore dhe ka lënë të kuptohet se po zhvillon raketa, që do të mund të arrijnë deri në territorin e Shteteve të Bashkuara.

Papa Françesk gjatë vizitës në Egjipt
Papa Françesk gjatë vizitës në Egjipt

​Presidenti amerikan, Donald Trump, ka dërguar forca detare në Gadishullin Korean, dhe ka paralajmëruar për pasoja “katastrofike” nëse bota dështon të ndalojë programin bërthamor të Koresë së Veriut dhe ka lënë të kuptohet se opsioni ushtarak është ende në tavolinë.

Papa Françesku i ka bërë thirrje presidentit amerikan dhe liderëve të tjerë që të përdorin diplomacinë dhe bisedimet “për shkak të së ardhmes së njerëzimit”.

Ai ka sugjeruar se një vend i tretë, siç është Norvegjia, mund të bëhet ndërmjetësues në këtë krizë.

U bëj thirrje të gjithë liderëve, që të punojnë në zgjidhje e problemeve përmes rrugës së diplomacisë”.

“Sot, një luftë e madhe do të shkatërronte jo vetëm një pjesë të vogël të njerëzimit, por një pjesë të madhe të njerëzimit dhe kulturës. Kjo do të ishte e tmerrshme. Nuk besoj se njerëzimit sot mund ta përballojë një gjë të tillë”, ka thënë Papa Françesku.

Trump pritet që më 26 dhe 27 maj të takohet me liderët e G7-ës në Sicili të Italisë.

Administrata e tij ende nuk ka treguar nëse Trump do të ndalet në Romë, për t’u takuar me Papën, i cili ka thënë se “pranoj çdo lider të shtetit, që kërkon të takohet me mua”.

Koreja e Veriut ka kryer një seri të testeve bërthamore, pavarësisht paralajmërimeve të SHBA-së. Më 29 prill, Koreja e Veriut kreu testi i fundit të një rakete balistike. Ky test, që me gjasë ka dështuar, erdhi pak kohë pasi sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, gjatë fjalimit të tij në Këshillin e Sigurimit në OKB, paralajmëroi se rreziku nga sulmet bërthamore të Koresë së Veriut, janë reale.

Tillerson u ka bërë thirrje anëtarëve të OKB-së t’i forcojnë sanksionet financiare ndaj Koresë së Veriut ose t’i reduktojnë marrëdhëniet diplomatike me Phenianin, në përgjigje të programeve të tij të paligjshme me armë bërthamore dhe balistike.

Ai ka thënë se Koreja e Veriut për vite të tëra ka ndërmarrë veprime të “rrezikshme”, duke shtuar se është koha që “ne të rimarrin nën kontroll situatën”.

“Për një kohë të gjatë, komuniteti ndërkombëtar ka qenë reaktiv në adresimin e çështjes së Koresë së Veriut. Ato ditë kanë marrë fund. Dështimi për të vepruar në çështjen më urgjente të sigurisë në botë, mund të sjellë pasoja katastrofike. Ne e kemi thënë edhe më herët këtë, por ja vlen ta përsërisim: politika e durimit strategjik ka përfunduar. Durimi i mëhershëm do të thotë pranim të Koresë së Veriut me program bërthamor”, ka thënë Tillerson.

Pas dërgimit të aeroplanmbajtësve amerikanë në Gadishullin Korean, gazeta zyrtare veri-koreane ka paralajmëruar SHBA-në se ky është “veprim i pamatur, i atyre që synojnë një luftë shumë të rrezikshme bërthamore.

Në komentet e kësaj gazete, po ashtu, është thënë se raketat balistike interkontinentale do të “fluturojnë drejt SHBA-së nëse Uasingtoni kryen provokime”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG