Ndërlidhjet

Macron, president i ri i Francës: Një faqe e re e historisë sonë është hapur


Franca zgjedh presidentin
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:26 0:00

Franca voton për presidentin

Kandidati i qendrës, Emmanuel Macron bindshëm ka fituar në zgjedhjet presidenciale në Francë, thonë rezultatet e projeksioneve të publikuara.

Macron ka mposhtur kandidaten e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, duke fituar 65.5 për qind të votave, ndërkaq Le Pen ka fituar 34.5 për qind të votave në zgjedhjet e 7 majit.

Macron, 39-vjeçar është bërë presidenti më i ri në moshë i Francës.

Ai, po ashtu, do të jetë presidenti i parë i Francës, që nuk vjen nga dy partitë tradicionale, që prej themelimit të republikës moderne më 1958.

Emmanuel Macron i është drejtuar popullit francez, në paraqitjen e tij të parë, pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale.

Në fjalimin e tij, Macron tha se të dielën është hapur një faqe e re “në historinë tonë të gjatë”.

Kjo faqe dua të jetë besimi dhe shpresa për Republikën tonë”, tha 39-vjeçari Macron.

Ai theksoi se me gjithë fuqinë e tij, do të shërbejë në emër të qytetarëve të Francës në 5 vjetët e ardhshëm, ndërsa falënderoi të gjithë qytetarët që më 7 maj votuan për të.

Macron u zotua se në Francë do të ketë siguri dhe do të ketë “unitet të kombit” dhe, siç u shpreh, “do të ndërtojmë një të ardhme më të mirë”.

“Do të luftoj me gjithë forcën time kundër ndasive që ne na ndajnë”, theksoi ai.

Macron tha se Franca do të jetë në rreshtin e parë në luftën kundër terrorizmit në vend dhe në arenën ndërkombëtare. Ai u zotua se do të mbrojë interesat e Francës dhe imazhin e shtetit.

Ai falënderoi presidentin Francois Hollande për punën e bërë në 5 vjetët e fundit.

Le Pen pranon humbjen në zgjedhje

Ndërkaq, liderja e Frontit Kombëtar, Marine Le Pen, pak kohë pas përfundimit të zgjedhjeve e pranoi humbjen dhe i uroi fitoren kundërkandidatit të saj, Emmanuel Macron.

Në paraqitjen para mbështetësve të saj, Le Pen tha se francezët kanë zgjedhur “vazhdimësinë”.

Francezët sot zgjodhën presidentin e ri dhe me votën e tyre kanë zgjedhur vazhdimësinë. Unë i uroj fitoren dhe sukses, Emmanuel Macronit. Unë i falënderoj të gjithë ata që kanë votuar për mua dhe që kanë qëndruar pranë meje gjatë fushatës”, u shpreh Le Pen, duke thënë se do ta vazhdojë betejën politike nga opozita.

Votuesit në Francë të dielën kanë pasur mundësi të zgjedhin në mes të kandidatit të qendrës Emmanuel Macron dhe kandidates së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen.

Projeksionet, menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, e nxorën fitues, Emmanuel Macronin.

Projeksioni i realizuar nga Kantar Public One Point-TF1-RTL, thotë se Macron ka fituar 65 për qind të votave, ndërkaq Le Pen ka fituar 34.5 për qind të votave, raporton BBC.

Sipas projeksionit paraprak, të bazuar në numërimin e pjesshëm të votave, tregon se Macron ka fituar zgjedhjet me 66 për qind të votave të fituar, ka thënë projeksioni i Harris Interactive, raporton Reuters.

Presidenti aktual i Francës, Francois Hollande, nëpërmjet një deklarate, tha se fitorja e Macronit në zgjedhjet presidenciale, tregon se shumica e francezëve kanë dëshiruar që të bashkohen rreth “vlerave të Republikës”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e uroi Emmanuel Macronin për fitoren në zgjedhjet presidenciale.

Kancearja gjermane, Angela Merkel, po ashtu, e uroi Macronin për fitoren. Zëdhënësi i Merkelit tha se fitorja e tij është fitore për “Evropën e bashkuar”.

Urime Emmanuel Macron. Fitorja juaj është fitore për Evropën e fuqishme dhe të bashkuar dhe për miqësinë franko-gjermane”, tha Steffen Seibert.

MAcronin e uroi për fitoren edhe kryeministrja e Britanisë, Theresa May.

Franca është njëri prej aleatëve tanë më të ngushtë dhe ne presim që të punojmë së bashku me presidentin e ri”, thuhet në deklaratën e zyres së Mayt.

Presidenti i Këshllit të Evropës, Donald Tusk, deklaroi se të dielën e 7 majit, francezët zgjodhën “lirinë, barazinë ndaj tiranisë dhe lajmeve të rrejshme”.

Ndërkaq, presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, theksoi se "francezët sot kanë zgjedhur të ardhmen e tyre evropiane”.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme franceze, deri në orën 17:00, kanë votuar 65.3 për qind, që është shifër më e vogël, krahasuar me raundin e parë të zgjedhjeve, ku 71.9 për qind e votuesve i ishin drejtuar kutive të votimit.

Macron, kandidat i qendrës, doli i pari në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Ai në këto zgjedhje ka garuar me një platformë pro-evropiane, ndërkaq, nacionalistja anti-migrantëve, Marine Le Pen dëshiron që Franca të dalë nga Bashkimi Evropian dhe të braktisë monedhën euro.

Macron ka votuar në qytetin Le Tourquet në veri të Francës, ku u shoqërua nga gruaja e tij, Brigitte.

Le Pen ka votuar në Henin-Beaumont, një qytet i vogël verior që kontrollohet nga partia që ajo udhëheq, Fronti Kombëtar.

Në këto zgjedhje, kanë pasur të drejtë vote 48 milionë banorë të Francës. Ata kanë mundur të votojnë në 66 mijë qendra të votimit.

Rreth 50 mijë zyrtarë policorë janë përkujdesur për sigurinë e qytetarëve të Francës, në ditën e zgjedhjeve.

Francezët votojnë në zgjedhje presidenciale

Votuesit francezë të dielën do të zgjedhin presidentin e vendit, në zgjedhjet që po shihen si përcaktuese për të ardhmen e vendit.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve, francezët do të zgjedhin ndërmjet kandidatit të qendrës, Emmanuel Macron, dhe kandidates të ekstremit të djathtë, Marine Le Pen.

Vendvotimet janë hapur në orën 7:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00. Në disa qytete të mëdha, vendvotimet do të mbesin të hapura deri në orën 20:00.

Le Pen votoi pa asnjë incident, pasi aktivistet feministe ishin arrestuar pak orë më parë, për shkak se kishin vendosur një pankartë anti-Le Pen në një Kishë.

Në oborrin e Muzeut të Luvrit në Paris, ku Macron pritet të flasë më vonë, zona është evakuuar përkohësisht, pasi është gjetur një valixhe e dyshimtë.

Por, policia franceze pasi ka kontrolluar zonën, ka thënë se situata i është rikthyer normalitetit.

Fushata zgjedhore ishte shumë e polarizuar, në të cilën Le Pen, e ka përshkruar kundërshtarin e saj, Macron si një elitist të butë ndaj fundamentalizmit islamik dhe kërcënimeve të tjera potenciale, ndaj vizionit të saj për shtetin francez.

“Strategjia e vetme e Le Pen që ta dëmtojë Macronin, ishte që ta përshkruante atë si një kandidat globalist, politikat e të cilit janë të rrezikshme për Francën”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Martin Michelot, zëvendësdrejtor i Institutit për politika evropiane, EUROPEUM.

Në sondazhet e fundit të opinionit, Macron ka qenë në epërsi, që prej përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale më 23 prill.

Përveç dallimeve në politikat e brendshme, dy kandidatët për president të Francës, kanë shumë dallime edhe në politikën e jashtme.

Le Pen do të dëshironte bashkëpunim më të ngushtë me Rusinë në luftën kundër terrorizmit në Lindjen e mesme dhe gjithashtu, do të rihapte negociatat politike me Iranin, të cilat për shembull, janë në kundërshtim të plotë me qëllimet e Shteteve të Bashkuara... dhe mund të çojnë në një përplasje me Shtetet e Bashkuara dhe presidentin Donald Trump”, ka thënë Michelot.

Le Pen, gjithashtu, dëshiron që vendi ta braktisë NATO-n.

Në anën tjetër, politika e jashtme e Macronit, do të ishte vazhdimësi e kursit të presidentit të tanishëm, Francois Hollande, një socialist, në qeverinë e të cilit, Macron ka shërbyer si ministër i Ekonomisë.

“Macron është një politikan që kurrë në karrierën e tij nuk është marrë me politikën e jashtme... kështu që mund të prisni shumë parashikueshmëri në ekipin e tij”, ka thënë Michelot, duke shtuar një listë të pikave kryesore të politikës së Macronit, duke vënë theksin te “pozicioni i njëjtë i fortë karshi Rusisë, rëndësinë e respektimit të marrëveshjes së Minskut, kundërshtimin e aneksimit të Krimesë” dhe angazhimin e fortë për NATO-n”.

Që prej raundit të parë të zgjedhjeve - ku Macron fitoi 24 për qind të votave ndërkaq Le Pen 21.3 për qind - Macron, lider i partisë En Marche!, ka akuzuar Rusinë për ndërhyrje në fushatën zgjedhore përmes sulmeve kibernetike dhe ka refuzuar që të akreditojë mediat ruse, RT dhe Sputnik, duke i akuzuar se po transmetojnë lajme të rrejeshme.

Moska ka hedhur poshtë akuzat për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale, njëjtë sikur ka hedhur poshtë akuza të ngjajshme të bëra nga Berlini dhe Uashingtoni.

Më 5 maj, fushata e Macronit ka thënë se ka qenë cak i një “sulmi masiv” kibernetik, ku janë vjedhur me më pas publikuar dokumente të fushatës. Nuk ishte e qartë menjëherë se kush qëndronte prapa këtij sulmi.

Partia e Macronit, El Marche, e ka krahasuar sulmin kibernetik ndaj tyre, me atë ndaj Partisë Demokrate në SHBA, ku agjencitë e inteligjencës amerikane kanë akuzuar hakerët rusë.

Le Pen, liderja e Frontit Kombëtar, ka marrë një borxh multimilionësh nga një bankë ruse më 2014 dhe ka mbrojtur aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia. Ajo gjatë fushatës zgjedhore është takuar në Moskë, me presidentin rus, Vladimir Putin.

Macron është mbështetur nga shumica e politikanëve në Francë, nga shumë liderë evropianë si dhe nga ish-presidenti amerikan, Barack Obama.

Edhe pse ka thënë se nuk e mbështetë Le Penin, presidenti amerikan Donald Trump ka thënë për Le Pen se po dëshiron të “forcojë kufijtë dhe ajo është më e fuqishmja për atë që po ndodhë në Francë”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG