Ndërlidhjet

Petroviq: Bisedimet do të ndihmojnë decentralizimin


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës
Përfaqësues të Qeverisë janë të bindur se suksesi i treguar për formimin e komunave të reja, do të jetë një shembull i mirë edhe për veriun e Mitrovicës. Ata, madje, u shprehën optimistë se bisedimet Prishtinë-Beograd, do të ndihmojnë edhe në procesin e decentralizimit.


Bisedimet e filluara ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, mund të ndihmojnë edhe në realizimin e procesin të decentralizimit, deklaroi të shtunën zëvendëskryeministri dhe ministri i Administrimit të Pushtet Lokal, Sllobadan Petroviq.

Ministri Petroviq, tha se procesi i decentralizimit ka për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe një gjë të tillë duhet ta dinë edhe qytetarët e veriut të Mitrovicës.

“Jam i sigurt që këto bisedime për disa tema, do ta lehtësojnë punën edhe për qytetarët. Dhe, këto bisedime do t’i përshpejtojnë proceset edhe për decentralizimin”
, tha Petoviq.

Ai theksoi se suksesi i arritur me formimin e komunave të reja Graçanicës, Ranillugut, Kllokotit, Parteshit si dhe zgjerimit të komunës së Novobërdës, është një shembull i mirë që edhe në veri të Mitrovicës të formohet komuna e re.

Mirëpo, ai nuk mund të thotë se krijimi i kësaj komune, ashtu siç parashihet me Pakon e Ahtisarit, do të ndodhë brenda vitit 2011.

Sllobodan Petroviq

“Nuk është qëllimi që ta formojmë komunën vetëm për shkak të letrave. Qëllimi i decentralizimit është përmirësimi i jetës së njerëzve në atë pjesë. Kam përvojë kur është fjala për decentralizimin që është bërë në pjesë tjera të Kosovës. Por, nuk mund të mos themi se edhe krijimi i komunave të reja në jug, si Graçanica, Parteshi etj., ka qenë një sfidë dhe ka pasur rezistencë edhe atëherë”.

“Kemi punuar për më tepër në kualitet, për këtë ato janë më të qëndrueshme. Për mua nuk është më e rëndësishme nëse komuna do të formohet një muaj më herët apo më vonë. Por, sa i takon Ministrisë, ne do ta implementojmë planin qind për qind”
, tha Petroviq.

Ndryshe, formimi i komunës së re të Mitrovicës është shtyrë për, siç është thënë, nevojës për krijimin e kushteve që do të mundësonin mbajtjen e suksesshme të zgjedhjeve lokale në atë pjesë të vendit.

Një nga kushtet e domosdoshme thuhet të jetë sundimi i ligjit.

Ish-ministri i Pushteti Lokal, Sadri Ferati, tha se me fuqizimin e mekanizmave vendorë dhe punën e faktorit ndërkombëtar në vend, do të mund të krijohen mundësitë për formimin e komunës në veri.
Sadri Ferati

“Është e domosdoshme, e, po ashtu, e dobishme që të gjithë aktorët, të cilët janë përgjegjës për këtë çështje, të jenë aktivë t’i inplementojnë planet, por edhe shumë ide të tjera”,
u shpreh Ferati.

Ferati theksoi, po ashtu, se gjatë kohës sa ai ka drejtuar Ministrinë e Pushteti Lokal, ka pasur plane konkrete, të cilat kanë qenë të përpunuara për të filluar punën në terren, në mënyrë që sa më parë të shpallet data e mbajtjes së zgjedhjeve në veri të Mitrovicës.

Sipas Feratit, krijimi i komunës në veri të Mitrovicës është i mundur të bëhet gjatë vitit 2011.

Sido që të jetë, autoritetet vendore e ndërkombëtare e cilësuan si të suksesshëm zbatimin e deritashëm të procesit të decentralizimit në Kosovë, por theksuan se për arritjen e një suksesi të plotë, decentralizimi duhet të shtrihet edhe në veri të Kosovës.
XS
SM
MD
LG