Ndërlidhjet

Norvegji: Azilantë, shkoni në shtëpi


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese


Courtney Brooks & Amina Umarova

Magomed është një 40-vjeçar çeçen, i cili për shtatë vjet ka jetuar në Norvegji. Pak ditë më parë, pa paralajmërim, në mes të natës, ai është dëbuar drejt Rusisë.

“Na sollën në Moskë në mes të natës dhe na lanë vetëm. Shumë nga ne nuk kishin dokumente, çfarë bëri të na mbanin gjatë në kufi. Norvegjezët na thanë se detyra e tyre ishte të na dorëzonin tek autoritetet ruse”
, rrëfen historinë e tij, Magomed.

Aktualisht ai jeton pa punë e pa të ardhura me prindërit e moshuar në Çeçeni, por nuk e jep emrin e plotë për shkak se trembet për sigurinë e tij. Në të njëjtën natë me të, janë larguar dhe anëtarët e 50 familjeve të tjera nga Norvegjia, të gjithë strehimkërkues.

Gjatë viteve të fundit numri i personave, të cilëve iu është refuzuar strehimi në Norvegji, është rritur në mënyrë dramatike. Të dhënat zyrtare norvegjeze flasin se strehimkërkuesit e prekur më së shumti nga refuzimi vijnë nga shtetet apo rajonet me shumicë myslimane.

Afganët, irakianët dhe banorët myslimanë të Kaukazit të Veriut janë refuzuar më së shumti nga autoritetet.

Komisionari i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Tomas Hamerberg, akuzon autoritetet norvegjeze se po kthejnë dhe azilantë që vijnë nga rajone të pranuara si të pasigurta. Sipas tij, në veçanti po e pësojnë strehimkërkuesit irakianë.

Irfan Kaiser, këshilltar në organizatën “Norwegian People’s Aid”, thotë se qasja e përgjithshme ndaj azilantëve, e në veçanti ndaj atyre myslimanë, është përkeqësuar në vitet e fundit.

“Mendoj se tendenca në Evropë, duke përfshirë dhe Norvegjinë, ka qenë që të shkohet drejt një kontrolli më të madh, më shumë kufizime, të cilat janë të lidhura dhe me debatin e përgjithshëm mbi integrimin e të huajve”,
thekson Kaiser.

Nga ana tjetër, Kirsten Myhre nga Drejtoria për Imigracion në Norvegji, e pranon faktin se vendi ka ushtruar rregulla më të përpikta gjatë dy viteve të fundit. Ajo shton se çdo rast verifikohet me kujdes, në mënyrë që statusin e refugjatit ta marrin vetëm personat që kanë nevojë reale për mbrojtje.

“Shumë nga aplikimet shpesh nuk janë të besueshme. Ata intervistohen për rreth një ditë dhe në të shumtën e rasteve nuk japin informacione se janë persektuar në vendin e tyre”,
thotë për Radion Evropa e Lirë, Myhre.

Tendenca e qeverisë norvegjeze është e njohur dhe nga Komisariati i Lartë për Refugjatë.

Sipas Kaiserit, nga “Norwegian People’s Aid”, strukturat norvegjeze të imigracionit nuk e thyejnë ligjin apo standardet ndërkombëtare, por e shtyjnë zbatimin e tyre në kufijtë ekstrem.

“I gjithë sistemi i dëbimit të personave që iu është refuzuar azili, është kaq i mbyllur sa është e vështirë të dihet se çfarë po ndodhë, çfarë procedurash po ndiqen. Ajo që shohim është se herë pas here policia shkon në mes të natës nëpër familje duke i dërguar ata në qendrat e dëbimit. Kemi informacione se ajo që ndodh jo rrallë në këto qendra dëbimi, mund të përcaktohet si trajtim i ashpër apo fyes”,
sqaron Kaiser.(i.b.)
XS
SM
MD
LG