Ndërlidhjet

Nevoja për ndryshime kushtetuese


Republika e Kosovës
Republika e Kosovës
Sfidat e zbatimit të Kushtetutës së Kosovës janë të natyrës politike dhe mungesës së vullnetit të mjaftueshëm nga institucionet, thonë ekspertët e çështjeve juridike-kushtetuese, në 3-vjetorin e miratimit të këtij akti juridik. Ekspertët thonë, po ashtu, se Kushtetuta është miratuar në shpejtësi dhe tani ajo ka nevojë për ndryshime, pasi që nuk buron nga vullneti i popullit, por nga Plani i Ahtisarit.


Tre vjet nga miratimi i Kushtetutës së Kosovës, ndryshimet në këtë akt të lartë juridik tashmë shihen si të domosdoshme.

Eksperti i çështjeve juridike-kushtetuese, Riza Smaka, thotë se nuk ka vërejtur shumë përkushtim tek institucionet që ta zbatojnë me përpikëri Kushtetutën.

Të gjitha institucionet, shpesh, me apo pa qëllim, kanë anashkaluar zbatimin e Kushtetutës, thotë ai. Ndërkaq, mangësitë e evidentuara në këtë akt juridik, sipas profesorit Riza Smaka, burojnë edhe nga fakti se ajo është hartuar me nxitim dhe nuk buron nga vullneti i popullit të Kosovës, por nga një dokument politik siç është plani i presidentit Ahtisari.
Kushtetuta jonë nuk përfillet sa duhet, kjo është një, dhe dy, ka edhe boshllëqe e vakuume juridike si dhe dispozita kontradiktore.

“Mangësia e saj është sepse ka qenë një dokument i dhënë në tavolinë ‘merre ose lëre’, do të thotë ishte punë e kryer. Aty ka zgjidhje rigide të padiskutueshme dhe po t’i kishim diskutuar gjithsesi do t’i kishim formuluar, definuar e specifikuar krejt ndryshe”.

“Po ashtu, ka qenë termini i imponuar asisoj që praktikisht nuk ka pasur një debat të mirëfilltë për ato pika ku ka mundur të bëhet një debat. Do të thotë Kushtetuta jonë nuk përfillet sa duhet, kjo është një, dhe dy, ka edhe boshllëqe e vakuume juridike si dhe dispozita kontradiktore”
, thotë për Radion Evropa e Lirë, Riza Smaka.

Përveç mangësive të evidentuara nga harmonizimi i Kushtetutës me një plan politik, siç është ai i presidentit Ahtisari për statusin e Kosovës, ish-kryetari i Komisionit parlamentar për legjislacion, Bahri Hyseni, thotë se Kushtetuta në disa raste nuk zbatohet edhe për shkak të problemeve politike, siç është rasti me veriun e Kosovës.
Problemet rreth zbatimit të saj praktik ekzistojnë.

“Problemet rreth zbatimit të saj praktik ekzistojnë. Ju e dini që ne jemi relativisht një shtet i ri dhe ende nuk i kemi të gjitha institucionet funksionale dhe natyrisht edhe vetë Kushtetuta nuk zbatohet në gjithë territorin e Kosovës”.

“Prandaj, në rrethana të tilla ku ekzistojnë probleme politike, ka edhe probleme, por megjithatë, si përfundim, mund të themi se nga koha kur e kemi Kushtetutën, institucionet kanë bërë një progres në zbatimin e saj”
, thekson për Radion Evropa e Lirë, Bahri Hyseni.

Kushtetuta e Kosovës është miratuar më 9 prill të vitit 2008, ndërkaq ka hyrë në fuqi gjashtë muaj më vonë. Gjatë këtyre dy vjet e gjysmë sa është në fuqi, ajo në disa raste edhe është shkelur nga institucionet e larta vendase.

Si shkeljen më të rëndë Gjykata Kushtetuese e ka konsideruar mbajtjen e dy posteve nga ana e ish-presidentit Fatmir Sejdiu, ndërkaq së fundit edhe Kuvendi i Kosovës kishte shkelur Kushtetutën me zgjedhjen antikushtetuese të Behxhet Pacollit, në postin e presidentit.

Ndryshimet kushtetuese janë parë si domosdoshmëri edhe në marrëveshjen e arritur ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi, kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, dhe ish-kreut të AKR-së, Behxhet Pacolli, marrëveshja e të cilëve është aprovuar në formë rezolute nga Kuvendi i Kosovës.

Ndryshimet kushtetuese do të fillojnë me presidentin, duke përcaktuar që në të ardhmen ai të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Por, brenda nëntë muajve sa do të zgjasin këto ndryshime, mund të ketë edhe propozime e amendamentime tjera.
XS
SM
MD
LG