Ndërlidhjet

Maqedoni, ndërhyrja e shtetit në media


Shkup - foto arkiv
Shkup - foto arkiv
Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) në raportin vjetor për të drejtat e njeriut, në rastin e Maqedonisë thekson kushtet e këqija në një pjesë të burgjeve, si dhe keqpërdorimin e masës së paraburgimit nga ana e autoriteteve, duke nënvizuar dhe ankesat e gjykatësve në Maqedoni se janë nën presion të madh politik.

Në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut kritikohet edhe ndërhyrja e shtetit në lirinë e mediave.

Gazetarët e vendit vlerësojnë se gjendja e palakmueshme e mediave realisht reflekton kulturën e ulët demokratike të pushtetit.

“Në qoftë se kjo nuk kuptohet nga njerëzit që jetojnë në Maqedoni, nga të gjithë pjesëmarrësit e përfshirë në këtë debat, Qeveria, mediat dhe sektori civil, atëherë gjithçka do të duhet diskutuar nga fillimi rreth asaj se çka përfaqëson demokracia”, thotë gazetari Nazim Rashiti.

Uashingtoni zyrtar, në pjesën ku bëhet fjalë për lirinë e shtypit dhe të fjalës, përmend edhe rastin me Televizionin A1 si dhe raportimet për atë se reporterët dhe sponsorët e këtij mediumi kanë pasur kërcënime nga pushteti.

Sipas kryeredaktorit të Tv A1, Mlladen Çadikoski, e keqja më e madhe qëndron në neglizhencën gjithnjë e më të shprehur të autoriteteve shtetërore ndaj vërejtjeve të komunitetit ndërkombëtar.

Kësaj përbërjeje qeveritare i konvenon një gjendje e këtillë e mediave, ku liria e shprehjes është në nivelin më të ulët të mundshëm, sepse nuk kanë ofertë konkrete për zgjidhjen e çështjeve, me të cilat kanë fituar besimin e elektoratit. Andaj, edhe godasin mediat për ta ngjyrosur në rozë realitetin e hidhur”, thotë Çadikovski.

Komunikologia Vesna Shopar mendon se periudha parazgjedhore do t’i tensionojë edhe më shumë raportet pushtet - media të pavarura.

Çështja është se si mediat, të cilat janë nën presion objektiv nga Qeveria, të vazhdojnë të informojnë objektivisht dhe njëherësh të mos thyejnë asnjë ligj që do t’i sanksiononte”, shprehet Shopar.

Raporti i DASH-it gjithashtu thekson se Qeveria ka shprehur indinjatë ndaj disa mediave, ndërsa po të njëjtën gjë e ka bërë edhe presidenti i shtetit, Gjorgje Ivanov.

Ministri i Drejtësisë, Mihajllo Manevski, thotë se dikasteri që ai drejton, ka realizuar të gjitha reformat e nevojshme.

"Jemi angazhuar për shkurtimin e rrugës për qasje më të shpejtë në drejtësi, realizimin e të drejtave dhe lirive të njeriut si dhe lirinë e shprehjes, duke mundësuar sundimin e ligjit dhe krijimin e një sistemi ligjor të pavarur dhe efikas", thotë Manevski.
XS
SM
MD
LG