Ndërlidhjet

logo-print

Zgjedhjet, mundësi per t'u pasuruar


Shkup - foto arkivi

Shkup - foto arkivi

“Mungesa e transparencës rreth financimit të partive politike i hap derën korrupsionit në politikë”, thotë Arif Musa, ish-anëtar i Komisionit Shtetëror për Anti-korrupsion në Maqedoni.

Musa thotë se çështja e financimit të partive politike është qartë e definuar me ligj, por defekti, siç nënvizon ai, qëndron në hilet që bëjnë partitë politike, duke marrë donacione të fshehta nga kompani të caktuara private, të cilat më pas shpërblehen me tenderë të rregulluar nga shteti.

“Kompani të caktuara private financojnë partitë politike në mënyrë të egër, pra me ‘para kesh’, të cilat partitë politike nuk i paraqesin në raportet e tyre financiare. Prandaj, është shumë vështirë të detektohet dhe sanksionohet kjo dukuri”, thotë Musa.

Zgjedhjet paraqesin një mundësi të shkëlqyer për t`u pasuruar, veçanërisht në një vend siç është Maqedonia, ku zbatimi i ligjeve humb efektin e vet në labirintet e shumta institucionale, nënvizon Vanja Mihajllova, aktualisht anëtare e Komisionit Shtetëror për Anti-korrupsion.

Partitë politike, qofshin në pushtet apo opozitë, përpos deklarimeve verbale, asnjëherë nuk kanë shfaqur interes serioz për të tejkaluar këtë problem. Andaj edhe krijohet hapësirë, që në shikim të parë të duket se respektohet ligji, por realisht thyhen të gjitha kriteret gjatë dhënies së tenderëve për kompani të caktuara, të cilat drejtpërdrejt kanë ndihmuar partitë politike gjatë fushatës zgjedhore”, thekson Mihajllova.

Mirçe Çekrexhi, nga Oda Ekonomike, thotë se kompanitë private e kanë të vështirë të flasin hapur për këtë çështje, veçanërisht për presionin e pushtetit para fushatës zgjedhore, sepse, në të kundërtën, ato do të ndeshen me policinë financiare.

"Vetëfinancimi i fushatave zgjedhore nga ana e sektorit privat, e që jo rrallëherë bëhet në mënyrë jotransparente, krijon mundësi për korrupsion”,
thotë Çekrexhi.

Ndërkohë që partitë politike, pa përjashtim, në raportet financiare, të dorëzuara konform rregullativës ligjore, pohojnë se janë përcaktuar për fushata zgjedhore tejet modeste, ekspertët theksojnë se pikërisht gjatë fushatave zgjedhore, pos luftës ideologjike që është transparente, pas kuintave zhvillohet një luftë edhe më e ashpër, që eksperti Nazmi Maliqi e quan “sot unë për ty, nesër ti për mua”.

Me keqardhje mund të konstatoj se pikërisht këto mjete, të cilat vijnë në konton e partive politike përmes kanaleve të errëta, keqpërdoren për manipulim të procesit zgjedhor, blerjen e votave dhe shumë veprime të tjera, që e dëmtojnë në përgjithësi procesin e zgjedhjeve në Maqedoni, për çka disa herë ka bërë vërejtje edhe ODIHR-i”, thotë Maliqi.

Lexoni edhe këtë:
Prova e 5 qershorit
XS
SM
MD
LG