Ndërlidhjet

LIDERËT SERBË THONË SE SERBIA NUK MUND TA NDRYSHOJË VENDIMIN E KS-SË PËR KOSOVËN


Rrahman Paçarizi

Serbët e Kosovës e shohin si vërejtje ndaj bashkësisë ndërkombëtare qëndrimin e qeverisë së Serbisë se do ta shpallin të pavlefshëm dhe jolegjitim secilin propozim të Ahtisarit që e përmend pavarësinë e Kosovës. Mirëpo, thonë ata, vendimi përfundimtar megjithatë i takon Këshillit të Sigurimit dhe Serbia nuk mund të bëjë shumë për ta ndryshuar atë vendim dhe ajo që i mbetet Serbisë është plani rezervë për të siguruar ekzistencën e serbëve në Kosovën e ardhshme. Udhëheqësi i Listës Serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq mendon se qëndrimi i tillë i Serbisë është i drejtë, sidomos nëse kihen parasysh parametrat e rezolutës 1244. “Rezoluta 1244 pothuajse e përjashton mundësinë e pavarësisë, dhe në rast se statusi nuk do të jetë pjesë e një rezolute të re të KS dhe nëse ai nuk e rregullon ndryshe statusin e Kosovës, mendoj se qëndrimi i tillë i Beogradit është krejt i drejtë, tha Ivanoviq. Mirëpo, ai mendon se Këshilli i Sigurimit sigurisht që është duke shqyrtuar të gjitha opsionet, prandaj duhet të shihet së pari pozicionimi i Këshillit të Sigurimit dhe më pas të ndërtohet qëndrimi rreth atij.
Ndërkaq, Rada Trajkoviq, nënkryetare e Këshillit Nacional Serb, një grupim ky politik i serbëve të Kosovës që pati bojkotuar edhe zgjedhjet e Kosovës, mendon se nëse bashkësia ndërkombëtare dhe Këshilli i Sigurimit mbështesin ndonjë ide të Ahtisarit për pavarësinë e Kosovës, atëherë Serbia nuk do të ketë shumë mundësi ligjore për ta zhvlerësuar atë vendim. “Nëse shteti serb vendos ta shpallë jolegjitim vendimin e bashkësisë ndërkombëtare, atëherë duhet japë përgjigje për mënyrën e sigurimit të ekzistencës së serbëve në Kosovë”, tha zonja Trajkoviq. Ajo mendon se në një rast të tillë gjasa për ekzistencë në Kosovë do të kishin vetëm serbët e veriut, për shkak të lidhjeve direkte me Beogradin, ndërsa të tjerët do të detyroheshin ta braktisin Kosovën. “Pa integrim, kur përmes institucioneve do të mund ta ruanim popullin serb, ekzistenca në Kosovë do të ishte krejtësisht i pamundur, madje ndoshta edhe për vetë serbët e veriut”, tha zonja Trajkoviq. Zonja Trajkoviq megjithatë mendon se bashkësia ndërkombëtare duhet ta ketë parasysh ofertën e Beogradit për pavarësi të brendshme për Kosovën.
Mirëpo, Oliver Ivanoviq, mendon se qëndrimi i fundit i qeverisë së Serbisë më shumë është rikonfirmim i qëndrimit të Serbisë në raport me propozimin eventual të Ahtisarit për status të pavarur për Kosovën. “Kjo para së gjithash mund të konsiderohet si qartësim i pozicionit të Serbisë, por unë mendoj se gjithmonë është më mirë të presim për të parë se për çka do të bisedojmë, pasi askush nuk e di se çfarë përmban dokumenti Ahtisarit”, tha Ivanoviq, duke shfaqur bindjen se zoti Ahtisari nuk do të dalë menjëherë me propozimin për statusin, por me anekset, që trajtojnë decentralizimin, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të serbëve e ndoshta e dofarë garancish kushtetuese, dhe krejt në fund do të vijë dokumenti kryesor, që flet për aspektin politiko-juridik, ose për statusin.

XS
SM
MD
LG