Ndërlidhjet

PRISHTINA NUK BESON NË BISEDIME TË MËTEJME ME BEOGRADIN


Albana Isufi


Zyra e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka përsëritur sot qëndrimin se e përkrahë të dërguarin e posaçëm të Kombeve të Bashkuara për Kosovën Marti Ahtisari dhe udhëheqjen e tij në procesin e statusit final. Në një komunikatë për media, kjo zyrë thotë se nuk ka ndryshim në politikën e SHBA-ve.
Sido që të jetë rrjedha e këtij procesi, kosovarët nuk besojnë se bisedimet e mëtejme mes Prishtinës dhe Beogradit për çështjen e statusit do të mund të sillnin rezultate, pasi që një gjë e tillë nuk rezultoi të ketë sukses në negociatat e Vjenës për çështje teknike.
Ndërkohë, paralajmërimet për bisedime të tilla janë shpeshtuar ditëve të fundit në media. Nënsekretari amerikan i shtetit Nicholas Burns ka thënë dy ditë më parë se qeveria amerikane mbështet përpjekjet e zotit Ahtisari që menjëherë pas zgjedhjeve në Serbi të fillojë një dialog dhe konsultime mes Beogradit dhe Prishtinës, gjë që në media është interpretuar si mundësi e negociatave shtesë.
Por, kryeministri Agim Çeku ka thënë sot se z.Burns nuk ka specifikuar se bëhet fjalë për negociata. “Unë mendoj se z.Burns, aq sa di unë e ka përdorur fjalën konsultime dhe jo negociata. Pa dyshim që ne do ta diskutojmë me z.Ahtisari pakon e tij, do të konsultohemi me të, kështu që qëndrimin rreth statusit presim ta marrim javën e ardhshme në Ekipin Negociator”, tha kryeministri Çeku.
Duke komentuar qëndrimet e Ekipit Negociator, zëdhënësi Skënder Hyseni thotë se Ekipi është për një zgjidhje të shpejtë të statusit të Kosovës. Ai nuk komenton mundësinë e negociatave shtesë pa parë pakon për statusin dhe qëndrimin e z. Ahtisari.
“Modalitetet se si do të arrihet kjo vendosje e shpejtë e statusit nuk janë qartësuar ende. Ajo që është me siguri shumë të madhe dhe këtë po e thonë të gjithë...z.Burns flet për afat një muaj e gjysmë apo dy që të vendoset statusi i Kosovës. Mbetet të shihen se çfarë modalitetesh, çfarë teknike do të përdorë z.Ahtisari për prezantimin e raportit të tij dhe aprovimin e këtij raporti edhe në Prishtinë, edhe në Nju Jork nga Këshilli i Sigurimit,” tha Hyseni.
Ndërsa, partia më e madhe opozitare në Kosovë thotë se një qëndrim për negociata të mëtejme duhet formësuar në Ekipin Negociator. Por, sido që të jetë, sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Jakup Krasniqi thotë se së pari duhet pritur pakoja e emisarit të OKB-së Marti Ahtisari. ”Ne nuk kemi marrë dokumentin e Ahtisarit, nuk dimë çka përmban dhe vetëm pasi ta marrim dokumentin e Ahtisarit ne mund ta formojmë qëndrimin tonë si subjekt politik. Por, në këtë rast Kosova duhet të formësojë qëndrimin e saj në Grupin Negociator”, tha Krasniqi.
Shefja e grupit parlamentar të Partisë Reformiste Ora, Teuta Sahatçia mendon se bazuar në bisedimet e deritashme që nuk rezultuan me marrëveshje mes Prishtinës e Beogradit, atëherë as nga negociatat shtesë nuk duhet pritur një gjë e tillë.
“Nëse i referohemi kësaj, çfarëdo tentimi i bisedave në këtë nivel do të sillte rezultat të njëjtë. Së pari duhet të shohim raportin e
z.Ahtisari, të shohim se çka parasheh ai raport dhe të shohim se si paramendohen, çka do të thonë tani ato bisedime”, tha Sahtaçia.
Mundësinë e negociatave shtesë mes Prishtinës dhe Beogradit e ka përmendur së fundi edhe Grupi Ndërkombëtar i Krizave, përfaqësues të të cilit kanë paralajmëruar se Uashingtoni zyrtar do të propozojë së shpejti mbajtjen edhe të një raundi të negociatave mes Prishtinës dhe Beogradit në Vjenë. Pakoja për statusin e Kosovës e përpiluar nga emisari i OKB-së për statusin Marti Ahtisari pritet të bëhet publike pas zgjedhjeve parlamentare serbe që mbahen më 21 janar.

XS
SM
MD
LG