Ndërlidhjet

DERVISHI:”KULTURA VARET NGA KONSOLIDIMI I POLITIKËS DHE I EKONOMISË”


Bekim Bislimi

Nuk mund të ketë zhvillim të mirëfilltë të kulturës pa një zhvillim ekonomik, ndërkaq mosdefinimi i deritashëm i statusit politik të Kosovës, ka lënë prapa zhvillimin ekonomik dhe social dhe rrjedhimisht edhe zhvillimin e kulturës, thotë Teki Dervishi, shkrimtar, dramaturg dhe publicist. Statuskvoja gjatë këtyre shtatë viteve, sipas zotit Dervishi, ka bllokuar investimet e kapitalit të huaj dhe kjo ka rezultuar me një gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale në Kosovë.
“Teza ime gjithmonë ka qenë që ekonomia është para kulturës, domethënë është një predispozitë për zhvillimin e kulturës, meqë kultura nuk është fitimprurëse, produktive. Pa nevojat elementare të një shoqërie, që do të thotë se, pa u shmangur nevojat e urisë, veshmbathjes, dritës, higjienës ose shëndetësisë, është abstrakte dhe është joshkencore që një shoqëri e tillë mund të ketë një kulturë. Kultura zhvillohet, por ajo është një kulturë hibride, është diçka e improvizuar. Shkenca në njërën anë dhe kultura në anën tjetër, mund të durojnë çdogjë, por jo improvizim”, shprehet zoti Dervishi.
Duke u nisur nga fakti se identitetin e një etnie e përcakton kultura e saj, shton zoti Dervishi, rrjedhimisht nga kjo edhe kultura është një lloj politike. Në anën tjetër politika e cila aktualisht ende po aplikohet në Kosovë si rrjedhojë e moszgjidhjes së statusit politik si dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, tash e shtatë vite imponon kompetenca të cunguara të institucioneve të përkohshme të Kosovës, të cilat janë në konsolidim e sipër. Përderisa nuk konsolidohet politika dhe ekonomia, nuk mund të pritet që kultura të ketë tretman tjetër, përkundër kritikave të cilat jo rrallë i adresohen Ministrisë së Kulturës, e cila realisht ka buxhet të vogël për financimin e kulturës, thotë zoti Dervishi.
“Ne mund të ankohemi që nuk subvencionohet sa duhet kultura, por ajo ndahet në atë përmasë sa ka para të mbledhura. Ne nuk mund ta trillojmë një buxhet tjetër. Do të thotë, mund të flasim vetëm për një gjendje konstante, e konstante është kur nuk lëviz asgjë. Nuk lëviz për arsye se statusi i Kosovës nuk është i zgjidhur dhe pa zgjidhjen e statusit, nuk ka prosperitet ekonomik dhe pa prosperitet ekonomik nuk mund të ketë kulturë kualitative”, shton Teki Dervishi.
Mentaliteti lidhur me pikëpamjet mbi kulturën dhe të kuptuarit e saj, në të shumtën e rasteve tek gjeneratat e vjetra të njerëzve në Kosovë është i trashëguar nga sistemi i kaluar komunist.
“Ne nuk mund të kërkojmë, në një situatë çfarë e kemi, diçka prej dikujt derisa ne nuk mund t’i shesim veprat tona. Arti më nuk është i imponueshëm si në komunizëm që ta impononte shteti. Arti është zgjedhje e lirë e njerëzve të lirë. Këto janë probleme të sociologjisë së kulturës që është një disciplinë që mund të them se ne nuk po e njohim, duke u nisur nga argumenti se ajo që e lexojmë ne në shtypin tonë ose në librat tona, del se ne frustrohemi me do koncepte, të cilat tashmë në botë janë qesharake”, thotë zoti Dervishi.
Sidoqoftë, sipas tij, mentaliteti i tillë, mund të ndrrojë me zhvillimin e proceseve dhe me evoluimin e situatave të cilat aktualisht përjeton Kosova.
“Unë mendoj se sa më i fortë që bëhet shteti, e dëshmon pjekurinë e politikanëve. Ne do të bëhemi shtet i ri, më i riu në botë, kështu që edhe politikanët i kemi të asaj moshe, të mos them adoleshentë. Pra do të thotë se nuk kemi traditë, dhe meqënse na mungon ajo, politikanët këtu nuk mund të bëjnë kurrfarë ndryshimi në aspektin kulturor”, përfundon zoti Dervishi.


XS
SM
MD
LG