Ndërlidhjet

AUTORITETET NË KËRKIM TË TITULLARËVE TË PRONAVE


Albana Isufi

Mbi 10 mijë kërkesa për zgjidhjen e problemeve pronësore janë pranuar nga Agjencia Kosovare e Pronës, e cila nga marsi i vitit të kaluar merret me zgjidhjen e këtyre çështjeve. 88 përqind e kërkesave kanë të bëjnë me zgjidhjen e kontesteve të pronave bujqësore, ndërsa të tjerat me ato banesore dhe komerciale. Shefi për informim i Agjencisë Kosovare të Pronës, Lars Olsen, thotë se kërkesat, sipas të gjitha gjasave, janë bërë më shumë nga minoritetet. “Ne nuk i ndajmë kërkesat në bazë të etnisë së kërkuesit, por ajo që mund të them është se rreth 85 përqind të kërkesave që i kemi marrë, janë dorëzuar në zyrat e agjencisë që ndodhen jashtë Kosovës, në Serbi, në Mal të Zi dhe në Maqedoni, ndërsa dikund 15 përqind janë dorëzuar nëpër zyrat në Kosovë. Pasi që shumica e kërkesave janë dorëzuar jashtë Kosovës, është korrekte të supozosh se popullata pakicë përbën shumicën e rasteve“, tha Lars Olsen, duke shtuar se tashmë agjencia është duke i shqyrtuar më shumë se 3 mijë kërkesa.
Kryeministri i Kosovës Agim Çeku, u ka garantuar pronarëve të vërtetë, prona e të cilëve është uzurpuar, se ajo do t’u kthehet ose të paktën ata do të kenë përfitime financiare nga prona në fjalë. “Bëj thirrje që të gjithë qytetarët e Kosovës që e shfrytëzojnë pronën e huaj, të bashkëpunojnë me agjencinë dhe prona duhet t’i kthehet pronarit. Pronari duhet të përfitojë nga prona e tij, qoftë duke e shfrytzuar atë, apo qoftë duke e dhënë me qira. E kjo agjenci ia mundëson çdo pronari, që përmes saj ta japë pronën e vet me qira, deri në kthimin e saj apo deri në vendimin për ta shfrytëzuar atë, dhe kështu të përfitojë nga prona. Prona është e shenjtë, prona garantohet dhe do të garantohet edhe në të ardhmen”, tha kryeministri Çeku. Ai ishte i pranishëm gjatë nënshkrimit të një marrëveshjeje mirëkuptimi, përmes së cilës Zyra Britanike në Prishtinë i dhuroi agjencisë 500 mijë euro. “Jam i kënaqur se me paratë që po i dhurojmë për këtë proces, do të zgjidhen kontestet e pronave private, komerciale dhe bujqësore. Dhe duke bërë kështu, mendoj se ndihmojmë zhvillimin ekonomik sepse pa qartësimin e titullarit të pronës nuk mund të keni investime nga jashtë e as rritje komerciale. Ne po e bëjmë këtë se mendojmë se është pjesë shumë e rëndësishme e procesit të ripajtimit dhe zhvillimit, dhe ne japim përkrahje të plotë për këtë agjenci”, tha shefi i Zyrës Britanike në Prishtinë, David Blunt.
Qeveria e Kosovës i ka ndarë Agjencisë Kosovare të Pronave një milion e 25 mijë euro, përderisa agjencia ka një buxhet prej 10 milionë eurosh, të fituar kryesisht nga donatorët. Zëvendësshefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Stiven Shook, kërkon edhe donacione të tjera. “Do të kërkoja nga donatorët edhe 6 milionë euro për të përfunduar mandatin e agjencisë, që tash është pjesë e propozimit të Ahtisaarit. AKP-ja është përfshirë në atë draft për të përfunduar këtë mandat”, tha Shook, duke u bërë thirrje kosovarëve që të qartësojnë mirë titullarët e pronave dhe mos të lënë rrëmujë në këtë mes, siç ka ndodhur me vendet e ish-Jugosllavisë. Por, për këtë është siguruar nga drejtori i Agjencisë, Knut Rosandhaug. “AKP-ja është një mekanizëm që është unik për tërë ish-Jugosllavinë dhe Kosova po i zgjidh problemet më shpejt sesa fqinjtë e saj”, tha Rosandhaug. AKP-ja ka mandat që të zgjidhë kërkesat lidhur me pronën e paluajtshme private, duke përfshirë pronën bujqësore dhe komerciale, që rrjedhin si pasojë e konfliktit të armatosur të vitit 1998 dhe 1999. Agjencia Kosovare e Pronës ka trashëguar nga Drejtoria për Çështje Banesore rreth një mijë kërkesa për zgjidhjen e kontesteve banesore, prej të cilave mbi 800 janë zgjidhur. Palët kanë të drejtë që të paraqesin ankesë rreth vendimeve të kësaj agjencie në Gjykatën Supreme. Në këtë rast vendimi i Gjykatës Supreme do të jetë përfundimtar. Agjencia Kosovare e Pronës përfundon mandatin e saj në Kosovë në qershorin e vitit 2009.

XS
SM
MD
LG