Ndërlidhjet

EKIPI I UNITETIT KËRKON NGA KOMUNITETI SERB TË MOS BOJKOTOJË INSTITUCIONET


Albana Isufi

Anëtarët e Ekipit të Unitetit kanë siguruar se të drejtat e pakicave në Kosovë do të jenë të mbrojtura me ligj. Por, njëkohësisht kanë kërkuar nga komuniteti serb që në të ardhmen mos të jetë bojkotues i proceseve apo i punës së institucioneve. Pas një takimi mes Ekipit të Unitetit dhe Këshillit Konsultativ për Komunitete, presidenti Sejdiu tha se serbët nuk duhet të bojkotojnë proceset, pavarësisht të drejtës së të ashtuquajturës shumicës së dyfishtë. “Për ne është me rëndësi që të formohet mekanizmi i mbrojtjes, por jo edhe i bllokadës”, tha Sjediu.
Në kuadër të dispozitave kushtetuese të dokumentit të Martti Ahtisaarit për statusin, parashihet që për miratimin e një sërë ligjesh, që lidhen me të drejtat e pakicave, përveç pranisë së shumicës në Kuvend, kërkohet edhe prania e shumicës së deputetëve pakicë. Komunitetet pakicë, sipas pakos së Ahtisaarit, edhe ne dy mandate të tjera të Parlamentit, do të kenë 20 vende të rezervuara, 10 për pakicën serbe dhe 10 të tjera për atë joserbe. Anëtari i Ekipit të Unitetit, njëherësh kryesues i Këshillit Konsultativ për Komunitete, Veton Surroi, shpreson për një frymë bashkëpunimi me komunitetin serb. “Kjo është ajo shumica e Badenterit, ashtu siç quhet. Është aplikuar në Marrëveshjen e Ohrit. Ajo që është me interes për ne është se kjo shumicë e dyfishtë definohet në ato çështje, që kanë të bëjnë me interes vital. Në këto çështje, edhe UNOSEK-u, edhe ne i kemi të definuara në kuptimin e identitetit kombëtar, gjuhës, arsimit, etj. Nuk ka rrezik të bllokimit me një natyrë te punës çfarë kemi pasur me Këshillin e Komuniteteve. Shpresoj se komuniteti serb do t’i bashkohet kësaj fryme të ndërtimit të kësaj Kosove si një shtet funksional, demokratik e i pavarur”, tha Surroi. Ekipi i Unitetit ka thënë se komunikimi me komunitetet pakicë, siç është bërë deri tash përmes Këshillit Konsultativ, do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ndërkaq, Veton Surroi bëri të ditur se nga gjysma e dytë e këtij viti, Këshilli Konsultativ do kalojë nën patronatin e Zyrës së Presidentit. Ai tha se aktualisht, Këshilli po përgatitet për fazën tranzitore. “Ne kemi bërë përgatitjet e nevojshme si këshill që të hyjmë si në fazën e tranzicionit, do të thotë pjesëmarrjes në grupe të punës për Kushtetutë dhe për çështje të tjera, simbole e zgjedhje, por po ashtu edhe në atë që do jetë pjesë legjislative e kësaj që del nga dokumenti i Ahtisaarit”, tha Surroi. Ai paralajmëroi se javën e ardhshme do të vazhdojnë konsultimet e Këshillit jashtë Kosovës, në mënyrë që të definohen çështjet të cilat duhet të hyjnë menjëherë në draftimin e ligjeve. Ndryshe, edhe pse në dokumentin e Ahtisarit nuk parashihet krijimi i komunave të banuara me pakicat joserbe, anëtari i Ekipit të Unitetit, Veton Surroi nuk përjashton këtë mundësi. “Ka qenë vendim i përbashkët i Këshillit të Komuniteteve, Ekipit Negociator dhe UNOSEK-ut, që çështjet e komunave ku janë komunitete tjera, joserbe, e që do ta përbënin shumicën, të mos trajtohen në Vjenë. Kjo duhet të jetë pjesë e debatit tonë të brendshëm”, tha Surroi.
Komunitetet e pakicës joserbe në Kosovë pajtohen me dokumentin e Ahtisaarit, përderisa serbët e Kosovës kanë kundërshtuar atë. Serbët nuk janë të kënaqur ndër të tjera me, siç kanë thënë, kompetencat dhe numrin e komunave në kuadër te decentralizimit, si dhe me vetë trajtimin që u bëhet atyre si pakicë në kuadër të pakos se Ahtisaarit.

XS
SM
MD
LG