Ndërlidhjet

UASHINGTON


Presidenti George Bush tha se Shtetet e Bashkuara kanë "marrëdhënie të ndërlikuara" me Rusinë, me disa mospajtime, por edhe me pika të përbashkëta.
Në një konferencë për shtyp në Uashington, Bush tha se ka çështje, në të cilat Shtetet e Bashkuara dhe Rusia mund të punojnë së bashku, siç është programi bërthamor i Iranit.
"Aty ku kemi interesa të përbashkëta dhe ku punojmë bashkë për interesat e ndërsjella, ne mund të arrijmë gjëra të rëndësishme për sigurinë e njerëzve tanë, si dhe për sigurinë në botë. Ne të dy gjithashtu jemi të shqetësuar për përhapjen e teknologjive, të cilat mund t'i dëmtojnë popujt tanë dhe popujt tjerë në botë", tha Bush.
Presidenti amerikan gjithashtu tha se nuk e dinte nëse udhëheqësit e lartë iranianë kanë patur lidhje me dërgimin e armëve në Irak. Por Bush tha se forca Al-Qods, degë e Gardës Revolucionare të Iranit, ka dërguar armë në Irak, të cilat janë përdorur për të vrarë ushtarët amerikanë atje.
Bush tha se akuzat e tilla nuk janë pretekst për luftë, por përpjekje për t'i mbrojtur trupat amerikane.
Ndërkaq lidhur me gjendjen në Irak, Bush e përshkroi dhunën sektare në disa pjesë të vendit si "spastrim etnik". Ai tha se fitorja në Irak "nuk do të jetë si fitorja në Luftën e Dytë Botërore".
Presidenti amerikan tha se operacionit të ri për të siguruar Bagdadin do t'i duhet ca kohë, por shtoi se largimi nga Iraku do të ishte një katastrofë.
XS
SM
MD
LG