Ndërlidhjet

EVANS: SOVRANITETI I SERBISË MBI KOSOVËN I PËRKET HISTORISË


GARETH EVANS, kryetar i Grupit Ndërkombëtar të Krizave

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë pritni nga bisedimet konsultative të Prishtinës dhe Beogradit në Vjenë?

GARETH EVANS
Askush nuk pret ndonjë lëvizje të rëndësishme në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Vjenë. Do të jenë bisedime mjaft të vështira, sepse të dyja palët janë të ngulitura në pozicionet e tyre. Përfaqësuesit e Kosovës në fakt e mbështesin planin e Ahtisaarit, ndërsa Beogradi e kundërshton. Mendoj se gjithë kjo është pritur.

RADIO EVROPA E LIRË
Ahtisari pastaj këtë propozim do t'ia procedojë Këshillit të Sigurimit. Çfarë epilogu mund të pritet, duke marrë parasysh se Rusia ka paralajmëruar se mund të vërë veto nëse të dyja palët nuk dakordohen me zgjidhjen për statusin e Kosovës.

GARETH EVANS
Kjo ende nuk dihet me siguri. Shihet qartë se plani i Ahtisaarit është hartuar me shumë kujdes. Është shmangur fjala për pavarësinë e Kosovës, e cila është halë në sy, para së gjithash për Rusinë. Ndonëse presidenti rus Vladimir Putin, kohëve të fundit ka paralajmëruar se nuk do të mbështesë një zgjidhje, të cilën nuk do ta përkrahte edhe Serbia, shumë vëzhgues, përfshirë dhe Grupin Ndërkombëtar të Krizave, janë të mendimit se më në fund, Moska do të përmbahet nga votimi në Këshillin e Sigurimit, duke mundësuar kështu miratimin e propozimit të Ahtisaarit. Kjo nuk don të thotë pranim formal të pavarësisë së Kosovës në Këshillin e Sigurimit, por do të mundësojë krijimin e kushteve praktike për shtetësinë e Kosovës duke i mundësuar çdo vendi që ta njohë atë individualisht. Bashkimi Evropian gjithashtu në masë të madhe është unik rreth çështjes së statusit të Kosovës. Kuptohet, ka edhe disa dilema në Bruksel, sepse disa vende të unionit nuk janë shumë të kënaqura me propozimin e Ahtisaarit, dhe as me idenë për pavarësinë e Kosovës. Megjithate, proceset historike nuk janë statike, ato ndryshojnë vazhdimisht. Është shumë me rëndësi që të harmonizohen qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare se sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën i përket historisë. Pra, nëqoftëse BE dhe SHBA do të dalin me qëndrime unike në Këshillin e Sigurimit, atëherë anëtaret tjera do ta kenë të vështirë që ta refuzojnë propozimin e Ahtisaarit.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra sipas jush, në rezolutën e Këshillit të Sigurimit nuk do të përmendet pavarësia e Kosovës, por do të mbetet e hapur mundësia që Kosova njëanshëm të shpallë pavarësinë, të cilën pastaj do ta njihnin Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të BE-së, por pa ulëse në Kombet e Bashkuara?

GARETH EVANS
Nuk don të thotë se skenari do të duhej të jetë i tillë. Vendimin në fund do ta marrë Asambleja e Përgjithshme e KB, por shkaku i Rusisë, është vështirë të pritet që ajo të njohë pavarësinë e Kosovës. Ndoshta kjo do të realizohet në një afat më të gjatë.
Ndërkohë, do të duhet të ndryshohet situata në teren, të përmbushen aspiratat realiste të Kosovës prej vitit 1999 për pavarësi. Nuk duhet të akuzohen Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara apo Bashkimi Evropian, por Sllobodan Millosheviqi, i cili krijoi situatën, në të cilën pavarësia e Kosovës është e pashmangshme. Kuptohet që gjendja nuk do të ndryshojë për të mirë brenda natës. Plani i Ahtisaarit megjithate parasheh një prani të fuqishme ndërkombëtare, respektivisht të Bashkimit Evropian. Pra, Kosova nuk do ta gëzojë pavarësinë e plotë edhe pas njohjes nga disa vende dhe anëtarësimit në disa organizata ndërkombëtare. Fundja, në botën e sotme shumë zgjidhje nuk janë plotësisht ideale, por kombinime të elementeve të ndryshëm. Sidoqoftë, duke marrë parasysh procesin e zgjërimit të Bashkimit Evropian, i cili duhet t'i përfshijë edhe vendet ballkanike, çështja e sovranitetit të kufizuar të Kosovës nuk do të jetë aq e rëndësishme dhe shqetësuese për banorët e saj, në atë masë siç është sot. Mendoj se edhe për Serbinë është më mirë që ta ketë situatën e pastër. Kosnideroj se një pjesë e qytetarëve të saj poashtu e shohin këtë realitet, por politikisht është e pamundur që liderët e Serbisë këtë ta thonë publikisht, pavarësisht nga ajo se çka mendojnë privatisht. Si do që të jetë, ky proces i arritjes së pavarësisë së Kosovës edhe mëtutje do të nxisë konfuzion, por është e qartë se kjo rrugë është e pashmangshme. Mirëpo, është shumë e rëndësishme që shqiptarët e Kosovës e kanë përjetuar planin e Ahtisaarit si hap të madh drejt pavarësisë së tyre. Në të kundërtën, ka ekzistuar rreziku i dhunës së re, që e pamë para disa ditësh në përleshjet e policisë me demontsrantët në Prishtinë. Kjo tregon se sa e ndjeshme është situata me tendencë të përkeqësimit të mëtejmë, nëse do të mbahej status quo-ja e deritashme.

RADIO EVROPA E LIRË
Spekulohet se serbët, të cilët janë të koncentruar në veri të Kosovës, do të mund të merrnin vendim për ndarje në momentin kur të shpallej pavarësia e Kosovës. Çka mendoni ju për këtë çëshje?

GARETH EVANS
Kjo mundësi ekziston. Por, të gjitha vendet anëtare të Grupit të Kontaktit shumë qartë e kanë bërë të ditur se nuk e mbështesin ndarjen e Kosovës. Mund të ndodhë që për këtë mendojnë serbët në veri si dhe qarqe të ndryshme në Serbi, por këtë bashkësia ndërkombëtare e kundërshton. Njëherësh ajo e ka lejuar këtë realitet në veri të Kosovës, duke lënë që Beogradi ta financoj shkollimin e lartë, mbrojtjen shëndetësore dhe krijimin e raporteve të tjera të drejtëpërdrejta. Siç kam thënë, nuk ka më ndarje të ashpra të sovranmitetit dhe të kufinjve si në shekullin e 19. dhe 20. Mirëpo, nëse serbët në veri të Kosovës vendosen që atë pjesë t'ia bashkojnë Serbisë, kjo do të krijonte më tepër probleme se sa që do t'i zgjidhte problemet.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e komentoni qëndrimin e auroriteteve në Serbi se plani i z.Ahtisaari shkon kah ajo që të marrë 15 % të territorit të Saj dhe se nuk mundëson mbrojtje efikase të bashkësisë serbe në Kosovë. Autoritetet serbe poashtu thonë se pavarësia e Kosovës do të shkaktonte jostabilitet rajonal?

GARETH EVANS
Duhet të thuhet qartë se në Serbi ende nuk shihet në masë të duhur se sa katastrofale ka qenë politika e Sllobodan Millosheviqit. As bashkësia ndërkombëtare e as shqiptarët nuk janë përgjejgës për gjendjen e cila ishte krijuar gjatë viteve të 90-ta. Pasoja e kësaj gjendje shihen ende. Mirëpo, siç kam thënë, as Koshtunica dhe as ndonjë lider tjetër në Serbi nuk e ka dënuar politikën e tillë të Millosheviqit dhe në këtë aspekt Serbia vonohet. Duhet t'i kthehemi ardhmërisë. Shumë njerëz në Serbi, përfshirë edhe zyrtarë të lartë, në bisedat private e pranojë këtë realitet. Mëtutje mendoj se zgjidhja e çështjes së Kosovës, nuk mund të jetë kurrfarë precedenti as kur është fjala për Maqedoninë e as për republikën serbe. Të gjithë e dinë historinë e rajonit dhe për çfarë arsye synimi i popullit shqiptar për pavarësi ka qenë gjithnjë e më i theksuar. Pra, regjimi në Serbi i ka terrorizuar qytetarët shqiptarë dhe për këtë arsye duhet të ballafaqohet me pasojat. Kjo don të thotë se serbët në Bosnjë Hercegovinë nuk mund të presin lëshime për shkak të zgjidhjes së statusit të Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare njëherësh, shumë qartë e ka bërë të ditur se nuk do të lejojë kurrfarë zgjerimi të Kosovës në llogari të Maqedonisë apo të Luginës së Preshevës, në jug të Serbisë. Pra, secili rast e ka dinamikën, argumentet dhe historinë e vet. Kuptohet, ka të atillë që mendojnë se pavarësia e Kosovës mund të shërbejë si precedwent për lëvizje të kufijve në mbarë botën, po ky nuk është argument bindës dhe kredibël.

Intervistoi Dragan Shtavlanin

XS
SM
MD
LG