Ndërlidhjet

logo-print

SEJDIU: PROTESTAT E DHUNSHME RREZIKOJNË PAVARËSINË


Rrahman Paçarizi

Ata që planifikojnë, nxisin dhe ushtrojnë dhunën për qëllime politike, janë kundër pavarësisë së Kosovës, meqë propozimi i presidentit Ahtisaari e shpie Kosovën pashmangshëm në pavarësim, tha sot presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në një fjalim drejtuar qytetarëve të Kosovës. Në këtë adresim qytetarëve, që është transmetuar edhe përmes televizioneve nacionale, presidenti Sejdiu tha se nesër në Vjenë zhvillohet sesioni i fundit i konsultimeve shtesë për propozimin e presidentit Ahtisaari, për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe kështu po merr fund një proces i gjatë dhe i mundimshëm, gjatë të cilit Kosova dhe përfaqësuesit e saj në bisedime, kanë dhënë gjithë çfarë është e mundshme për ta përmbyllur me sukses dhe në rrugë ndërkombëtare, pavarësimin e Kosovës. Ekipi i Unitetit në bazë të mandatit që i ka dhënë Kuvendi i Kosovës në vazhdimësi, i ka dhënë vërejtjet dhe ka artikuluar shqetësimet e nevojshme ndaj pakos së Ahtisaarit, në mënyrë që pakoja të jetë sa më e mirë dhe më funksionale për popullin e Kosovës, tha presidenti Sejdiu. “Pakoja e presidentit Ahtisaari e shpie Kosovën pashmangshëm në pavarësi, që domethënë se Kosova përfundimisht do ta zërë vendin e vet në familjen e kombeve të lira dhe në të gjitha organizmat ndërkombëtare, përfshirë edhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, u shpreh presidenti Sejdiu. Ai tha se gjatë kësaj kohe, Ekipi i Unitetit dhe strukturat e tjera të përfshira në procesin negociator, i kanë dhënë shpjegimet e duhura për pakon e Ahtisaarit, duke i ngritur edhe shqetësimet legjitime të qytetarëve rreth saj. “Pas prezantimit të propozimit të presidentit Ahtisaari në Kosovë, ka pasur edhe reagime kundërshtuese me protesta në rrugë, të cilat më 10 shkurt kanë degjeneruar në dhunë të papranueshme dhe fatkeqësisht në humbjen e dy jetëve. Përsëritja eventuale e ngjarjeve të tilla të dhunshme e rrezikon seriozisht procesin e pavarësimit të Kosovës dhe këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët i ftoj të qëndrojnë larg organizimeve të tilla dashakëqija”, tha Sejdiu. Ai shtoi më pas, se dhuna për qëllime politike dhe thirrja në emër të pakënaqësive popullore ndaj propozimit të Ahtisaarit, është kundër pavarësisë së Kosovës. ”Dua të theksoj qartë dhe me zë të lartë, se të gjithë ata që planifikojnë, nxisin dhe ushtrojnë dhunën për qëllime politike, e në veçanti në emër të pakënaqësive dhe gjoja shqetësimeve popullore ndaj propozimit të presidentit Ahtisaari, janë esencialisht kundër pavarësisë dhe prosperitetit të vendit tonë”, theksoi presidenti Sejdiu. Në fjalimin drejtuar qytetarëve të Kosovës, që është bërë vetëm dy ditë para mbajtjes së paralajmëruar të protestave nga Lëvizja Vetëvendosje, ai u bëri thirrje qytetarëve që të kenë besim në përfaqësuesit e tyre të zgjedhur në mënyrë demokratike. “Qytetarë të dashur të Kosovës, ju bëj thirrje që të keni besim, si edhe deri më tash, në përfaqësuesit tuaj legjitimë si dhe në procesin ndërkombëtar që do ta bëjë Kosovën shtet të pavarur dhe prosperues, të gatshëm për të hyrë në integrimet euroatlantike” , tha në fjalimin e tij drejtuar qytetarëve të Kosovës, presidenti Fatmir Sejdiu, i cili njëkohësisht është edhe udhëheqës i Ekipit Negociues të Kosovës, në procesin e udhëhequr nga presidenti Ahtisaari, për statusin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG