Ndërlidhjet

KONSULTIMET NË VJENË PËRMBYLLEN ME TAKIMIN E 10 MARSIT


Albana Isufi

Bisedimet për statusin në mes Prishtinës dhe Beogradit, të ndërmjetësuara nga i dërguari special i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, do të përmbyllen me takimin e 10 marsit. Por, përfaqësues të zyrës së Ahtisaarit në Vjenë, nuk përjashtojnë mundësinë që palët të kenë konsultime të ndonjë formati tjetër. “Pasi që ta dërgojmë propozimin në Nju Jork, ne nuk do të caktojmë tërë agjendën. Ka mundësi të tjera. Konsultimet tona këtu, do të përfundojnë pas takimit të 10 marsit. Por, nuk mund ta dimë se cka mund të ndodhë më vonë me diskutimet ndërmjet palëve”, tha zëdhënësi i UNOSEK-ut, Remi Dourlot, duke shtuar se propozimi për statusin do të dërgohet në New York, menjëherë pas takimit të 10 marsit. ”Siç e dini, i dërguari sepcial do të dërgojë propozimin final në New York, pas takimit të 10 marsit. Kjo është gjëja e parë. Ai po ashtu, ka thënë se do ta bëjë të qartë idenë e tij për statusin, por unë nuk mund t’ju them tani, nëse do ta bëjë këtë kur do ta dërgojë propozimin në New york, apo kur ai vetë të shkojë në Nju Jork, për t’iu adresuar Këshillit të Sigurimit. Por, propozimi do të jetë në tavolinën e Këshillit të Sigurimit para fundit të marsit”, theksoi Dourlot. UNOSEKU do t’ua dërgojë Prishtinës dhe Beogradit më së largu nesër, dokumentin e shqyrtuar në periudhën konsultative. Palët do të kenë kohë që deri më 10 mars, të bëjnë komentet e tyre. Zëdhënësi Remi Dourlot nuk sqaron, se çfarë është ndryshuar deri tani në dokument. “Këtë nuk mund ta them. Ne duhet të presim, të paktën derisa të dërgojmë versionin e rishikuar tek palët, para se të përmendim çkado rreth ndryshimeve që i kemi bërë. Por, është e vërtetë që ne planifikojmë ta dërgojmë propozimin e korrigjuar tek të dyja palët, në mesin e javës, pra nesër”, tha Dourlot, duke shtuar se pala e Beogradit ka qenë ajo, që ka pasur më shumë kërkesa për ndryshime të dokumentit. “Diskutimet e raundit të parë kanë qenë për tërë dokumentin dhe amendamentet janë dorëzuar nga të dyja palët, shumica e tyre nga Beogradi. Por, amendamentet janë sugjeruar nga palët për tërë dokumentin, kështu që ne do të shkojmë përmes gjithë dokumentit dhe do t'i analizojmë të gjitha propozimet”, u shpreh Dourlot. Por, a do të ketë ndryshime të dokumentit pas takimit të 10 marsit? “Këtë nuk e di. Ne duhet të presim. Varet nga diskutimet e 10 marsit. Nëse të dyja palët vetëm bëjnë deklarata komentuese mbi dokumentin e korrigjuar, nuk e di nëse do të ketë ndonjë ndryshim. Por, kjo do të vlerësohet pasi që të shihet se si po ecën takimi i 10 marsit”, tha Remi Dourlot. Një seri takimesh është mbajtur pasi që palët kanë marrë dokumentin e Ahtisaarit, por nuk është arritur ndonjë rezultat. Ndërkaq, nga takimi i nivelit të lartë i 10 marsit, UNOSEK-u pret që nëse asgjë tjetër, të paktën të dihen qëndrimet e palëve rreth dokumentit të rishqyrtuar për statusin e Kosovës. Dokumenti u është dorëzuar palëve më 2 shkurt të këtij viti.
XS
SM
MD
LG