Ndërlidhjet

“BORXHI NDËRKOMBËTAR” DHE “BORXHI I JASHTËM” KANË TË NJËJTIN KUPTIM


Nadie Ahmeti

Në dokumentin përfundimtar për statusin e Kosovës, në kapitullin për çështje ekonomike, termi “borxhi ndërkombëtar” është shndërruar në “borxh të jashtëm”. Ekspertët kosovarë për çështje ekonomike pohojnë se, përveç ndryshimit në terminologji, në esencë ky kapitull nuk ka pësuar asnjë ndryshim. Musa Limani, udhëheqës i Institutit Ekonomik në Prishtinë, thotë se në qoftë se nuk fshihet asgjë prapa këtij termi, borxhi i jashtëm dhe borxhi ndërkombëtar në aspektin ekonomik, kanë të njëjtin kuptim. “Ne e përdorim ‘marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare’ apo ‘marrëdhëniet ekonomike me jashtë’, kështu që nuk ka ndonjë ndryshim në esencë, në qoftë se nuk fshihet diçka prapa këtij termi. Në aspektin ekonomik është i njëjtë”, theksoi zoti Limani. Ngjashëm thotë edhe Skënder Berisha, profesor në Fakultetin Ekonomik. Ai vlerëson, se të dy këta terma konsiderohen si borxh ndërkombëtar, por nëse në pako mendohet që borxhi i jashtëm ta përfshijë edhe Serbinë, atëherë, sipas tij, vjen faza e sukcesionit. “Atëherë i shohim dëmet e luftës, që ia ka shkaktuar Serbia ekonomisë dhe shoqërisë kosovare. Por, borxhet e jashtme dhe borxhet ndërkombëtare identifikohen”, pohon zoti Berisha. Por, pavarësisht prej termit që përdoret në propozimin përfundimtar për statusin e Kosovës, Musa Limani, thotë se Kosova nuk ka asnjë obligim ndaj Serbisë. Sipas tij, Kosova do të marrë përsipër vetëm pjesën e borxhit ndërkombëtar deri në vitin 1990 dhe pas përfundimit të luftës. “Sido që të jetë, obligimet të cilat Kosova i ka marrë në ish-Jugosllavi, mendoj se ato janë obligimet tona dhe nuk heqim dorë nga to. Mirëpo, nuk duhet të pranojmë kurrfarë obligimesh ndërkombëtare ose të jashtme, në të cilat ka hyrë Unioni Serbi-Mali i Zi, pas suspendimit të autonomisë së Kosovës. Ato obligime, Kosova nuk i pranon sepse nuk janë valide”, tha zoti Limani. Profesori Skënder Berisha, ndërkaq thekson se borxhi i Kosovës ndaj organizatave të huaja financiare, arrin shumën deri në 800 milionë dollarë. “Prej asaj periudhe, pas viteve të 90-ta, na kanë mbetur borxhe ndaj Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që sot po e quajnë Banka Botërore. Ajo shumë sillet rreth 700-800 milionë dollarë përafërisht, sepse shënime të sakta nuk kemi“, tha zoti Berisha. Ndryshe, në pakon për statusin e Kosovës, thuhet se Kosova merr përsipër shlyerjen e borxheve të ish-Jugosllavisë, në rastin kur përfituesi përfundimtar është i vendosur në Kosovë. Por, në qoftë se Kosova dhe Republika e Serbisë nuk pajtohen për përmbushjen e caktimit të borxheve, në propozimin e Martti Ahtisaarit gjithashtu thuhet se një vit pas fuqizimit të marrëveshjes për statusin, Grupi Drejtues Ndërkombëtar do të emërojë një arbitër, që do të merret më ndarjen e borxheve midis të dyja palëve.
XS
SM
MD
LG