Ndërlidhjet

DILEMAT RRETH FUNKSIONIMIT TË DY KOMUNAVE NË MITROVICË


Rrahman Paçarizi

Shqiptarët dhe serbët e dinë se Mitrovica do të jetë një qytet me dy komuna, por ende nuk e kanë të qartë se si do të funksionojnë këto dy komuna. Dihet po ashtu, se këto dy komuna, përveç emrit me cilësimet jugore dhe veriore, do ta kenë edhe një bord, por nuk është e qartë se çfarë do të jenë kompetencat e tij, konsultative apo ekzekutive. Plani i Ahtisaarit parasheh një bord të përbashkët, ku do të përfaqësohen dy komunat si dhe përfaqësues ndërkombëtarë. Mursel Ibrahimi, kryetar i Kuvendit Komunal të Mitrovicës, thotë se kjo është ende e paqartë. “Nuk precizohet. Ne e dimë se ka të bëjë me qarkullimin e lirë, me kthimin e qytetarëve, me inçizimin e pronave, por megjithatë nuk precizohet. Dhe, kemi pasur vërejtje për atë se si do të funksionojë, çfarë përbërje do të ketë, a do të jetë ekzekutiv apo s’do të jetë”, tha Ibrahimi. Mirëpo, udhëheqësi i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, Oliver Ivanoviq, i cili parapëlqen të thotë se propozimi për një qytet me dy komuna ishte ideja e tij dhe e pasuesve të tij, mendon se roli i bordit është krejtësisht i qartë. “Do të ketë një bord, si një trup që nuk do të ketë fuqi praktike, por më shumë një trup koordinues, që nuk ka kurrfarë pushteti mbi komunat, të cilat i kanë të gjitha kompetencat në territoret e veta”, tha Ivanoviq, duke e parë ndarjen në dy komuna zgjidhjen e vetme, që mund ta legalizojë deri diku gjendjen aktuale. “Kjo është mundësia e vetme për t’i bindur serbët që të marrin pjesë në këtë, pasi shqiptarët nga jugu nuk do të mund ta kontrollojnë veriun pa serbët, ndërsa serbët nuk do të përfshihen në atë kontroll”, theksoi Ivanoviq. Mirëpo, Mursel Ibrahimi mendon se janë disa veprime që duhen ndërmarrë, para se të formohen dy komunat. “Paraprakisht të bëhet regjistrimi i popullatës, inçizimi i pronës dhe të shqyrtohet sa është ekonomikisht e qëndrueshme kjo njësi komunale. Këto janë problemet që ne na kanë preokupuar”, u shpreh Ibrahimi. Megjithatë, veriu dhe jugu kanë diçka krejt konkrete për të zgjidhur, dhe ajo është Trepça me xeheroret e saja dhe fabrikat e përpunimit të xehes. Ivanoviq nuk e sheh këtë si problematikë, pasi sipas tij, asnjë komunë nuk është subjekt i drejtpërdrejtë me rastin e privatizimit, pasi këtë punë e bën Agjencia Kosovare e Mirëbesimit. “Puna e mëtejshme e ndërmarrjes së privatizuar varet në masë të madhe nga raportet e pronarit të ardhshëm me komunën, në territorin e së cilës ndodhet ndërmarrja”, theksoi Ivanoviq. Mirëpo, kompleksi Trepça është i shtrirë në të dyja pjesët, thotë Mursel Ibrahimi. “Në këtë pjesë ka qenë xeherorja e kombinatit Trepça, ndërsa në pjesën tjetër, në Zveçan, ka qenë shkritorja dhe kanë qenë ato mosmarrëveshjet që kanë ndikuar në segmentin ekonomik”, theksoi Ibrahimi. Sidoqoftë, pika në të cilën pajtohen Ibrahimi dhe Ivanoviq, është se Trepça nuk do të privatizohet përpara se të zgjidhet statusi i Kosovës. Mitrovica ka edhe një sërë të përbashkëtash, që e bëjnë të domosdoshme një lidhje ndërmjet komunave. Rrjeti i ujit dhe i rrymës mund të jenë vetëm disa prej funksioneve vitale, që dy pjesët e të njëjtit qytet i kanë të ndërlidhura.
XS
SM
MD
LG