Ndërlidhjet

KOSOVA SI VULLKAN I MUNDSHËM SOCIAL


Nadie Ahmeti

Aktualisht gjendja sociale dhe ekonomike në Kosovë, nuk mund të vlerësohet e mirë, duke marrë parasysh shkallën e lartë të papunësisë dhe atë të varfërisë. Të paktën kështu pohojnë sociologë dhe ekspertë për çështje ekonomike. Ymer Havolli, nga Instituti për Hulumtime Zhvillimore “RIINVEST”, thotë se këto çështje në një mënyrë janë anashkaluar nga institucionet vendore, meqë vëmendje të veçantë po i kushtojnë vetëm zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës. Shqetësues për zotin Havolli, është edhe fakti se ka filluar të zvogëlohet numri i punëtorëve në sektorin privat. “Nuk ka investime të jashtme direkt, nuk ka ndonjë rritje të madhe të të punësuarve në sektorin privat, sepse kemi një zhvendosje strukturale të ekonomisë, nga sfera prodhuese në sferën e qarkullimit dhe të shërbimeve”, thotë Ymer Havolli. Mungesa e një ekonomie të qëndrueshme dhe shkalla e lartë e papunësisë, për sociologët ndërkaq është kërcënim kryesor edhe për sigurinë në Kosovë. Fadil Maloku, profesor në katedrën e sociologjisë, në Fakultetin Filozofik, thotë se për shkak të mungesës së perspektivës, te shumë qytetarë është krijuar një lloj frustrimi, që sipas tij, mund të jetë potencial kërcënues pas zgjidhjes së statusit. Ai pohon se qytetarët e Kosovës, shpresojnë se zgjidhja e statusit do t’i zgjidhë edhe problemet e tyre sociale. “Mendoj se Kosovën e presin sfida të mëdha, përballje me probleme të natyrës sociale. Vetë fakti se mbi 70 përqind e popullatës janë duke jetuar buzë ekzistencës, dhe procesi i frustrimit që ka dalë si pasojë e pakënaqësisë sociale, dëshmon se Kosova është një vullkan social potencial në periudhën në të cilën po hyn Kosova”, pohon Maloku. Prioritet madhor, popullata e konsideron zgjidhjen e statusit politik të Kosovës, tha Ymer Havolli, duke shtuar se Qeveria e Kosovës pikërisht për këtë edhe është kursyer. Pas zgjidhjes së statusit, sipas tij, Qeveria e Kosovës do të ballafaqohet me kërkesa të ndryshme të shoqërisë kosovare. “Është një situatë, mund ta quajmë një pakt i panënshkruar social në mes të njerëzve, që janë në gjendje të rëndë ekonomike dhe institucioneve, të cilat pas zgjidhjes së statusit, do të ballafaqohen me kërkesat, që kanë të bëjnë me zhvillimet ekonomike”, theksoi Havolli. Por, ndryshe thotë Fadil Maloku. Sipas një hulumtimi të Institutit për Demokraci dhe Relacione Etnike, të cilin e udhëheq ai, Maloku thotë se shqetësim kryesor i qytetarëve tashmë mbetet çështja e mirëqenies së tyre sociale. “Vetë fakti që kjo është mbi problemin e definimit të statusit politik, dëshmon më së miri sa është alarmant ky proces dhe ky fenomen në periudhën, në të cilën po hyn Kosova”, shprehet Fadil Maloku. Edhe disa të rinj mendojnë se nëse pas zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës, institucionet vendore nuk krijojnë hapësirë për një perspektivë më të mirë, rreziqet janë nga më të ndryshmet. Edona Dumani thotë se të rinjtë kosovarë janë lodhur duke pritur zgjidhjen e statusit dhe duke shpresuar, se do të hapen vende të reja pune. “Për momentin perspektivë nuk ka. Unë as në të ardhmen nuk shoh ndonjë perspektivë, dhe për këtë mund të ketë edhe dhunë”, thotë Edona Dumani. Ngjashëm shprehet edhe Drita Hyseni, studente në Universitetin e Prishtinës. “Do të kërkojmë një të ardhme më të mirë, zhvillim ekonomik, punësim dhe perspektivë për të rinjtë“, thotë Drita Hyseni. Zhvillimi i dobët ekonomik, niveli i lartë i papunësisë dhe statusi i padefinuar, nga zyrtarë të lartë vendorë dhe ndërkombëtarë, shpeshherë janë përmendur si faktorët kryesorë që ndikojnë në stabilitetin e përgjithshëm.
XS
SM
MD
LG