Ndërlidhjet

JANJIQ:"PLANI I AHTISAARIT DO TË MIRATOHET ME DISA KORIGJIME"


Dushan JANJIQ, Forumi për Marrëdhënie Etnike/Beograd/

RADIO EVROPA E LIRË
Si e vlerësoni deklaratën e ambasadorit të Gjermanisë në Beograd Andreas Zobel, se zvarritja e përcaktimit të statusit të Kosovës mund t'i hapë çështjet e Sanxhakut dhe të Vojvodinës në Serbi?

DUSHAN JANJIQ
Ambasadori gjerman këtu i'u bashkangjit ambasadorëve të Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara duke dërguar mesazhin e njëjtë, që Beogradi duhet vetë të sjellë vendimin dhe ta pranojë planin e Ahtisaarit. Kjo vetvetiu nuk është problematike, por është problematike ajo se ambasadori vërtetë doli nga kuadri i profesionit të tij, kur e vuri në një kontekst Kosovën me Sanxhakun dhe Vojvodinën. Kjo është një tezë që ekziston, dhe ajo nxitet edhe në Parlamentin Evropian, por Berlini zyrtar dhe parlamentarët nga Gjermania, prej Doris Pack deri te Erica Mann, gjithmonë kanë qenë ithtarë të tezës se këtu nuk ka lidhje të drejtpërdrejta. Druaj se me këtë deklaratë, ambasadori Zobel ka ardhur deri në pikën, e cila e vë në pikëpyetje qëndrimin e tij të mëtejmë si ambasador në Serbi, sepse ai në fakt ka prekur dy stereotipe, të cilat ambasadori nuk guxon t'i nxitë. Njëri është stereotipi që ekziston në Serbi, sipas të cilit, në Gjermani shumë njerëz ëndërrojnë t'i hakmerren Serbisë për Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, dhe se kjo ide për coptimin e Serbisë në fakt është e lindur në Berlin. Stereotipi tjetër është në anën gjermane. Në Gjermani vërtetë ekziston një e djathtë ekstreme, e cila konsideron se Vojvodina duhet të dalë nga përbërja e Serbisë, dhe Serbia duhet të reduktohet në atë që dikur ishte Pashallëku i Beogradit. Ajo që tha ambasadori Zobel, drejtpërdrejt shkon në favor të këtyre stereotipeve, është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me deklaratat e kryeministres së Gjermanisë, dhe aq më tepër, nuk i ka hije një ambasadori të vendit kryesues të Bashkimit Evropian.
Unë aspak nuk dyshoj në një qëllim të mirë të ambasadorit Zobel, që ai t'i bëjë presion Beogradit kur është fjala për deklarimin rreth Kosovës, por është e qartë se ai nuk e kreu punën e tij deri në fund dhe u ngatërrua në diçka që quhet politikë e brendshme në Serbi. Pra është një politikë shumë e rrezikshme nxitja e ndarjeve etnike dhe coptimi i mëtejmë i një shteti sovran dhe të njohur ndërkombëtarisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Po si do t'i vlerësonit deklaratat e zyrtarëve serbë pas seancës së Këshillit të Sigurimit të KB kushtuar Kosovës?

DUSHAN JANJIQ
Reagimet e tyre i përkasin tezës klasike që të mos e tregojnë të vërtetën, ta tregojnë vetëm atë pjesë që u përgjigjet atyre. Një pjesë e këtyre deklaratave, p.sh. e kryeministrit Koshtunica, thjesht kanë të bëjnë me një triumfalizëm aspak të bazuar, në kuptimin se Ahtisaari ka humbur, plani është refuzuar apo të ngjashme. Këto janë deklarata të pamatura që shërbejnë për qëllime të brendshme politike, por ato kurrsesi nuk i ndihmojnë as Koshtunicës dhe as Beogradit që të kuptojnë realitetin. Ndërkohë realiteti është se diskutimet rreth planit të Ahtisarit aspo kanë filluar dhe është shumë vështirë të parashikohet rezultati. Por në bazë njohurive që kam, unë e dij se plani do të pranohet, kuptohet me korrigjime përkatëse, dhe do t'i paraqesë kahjet e mandatit të ardhshëm të Bashkimit Evropian në Kosovë. Pra absolutisht nuk është gjë e mençur që të hedhësh poshtë gjithçka me të cilën Beogradi është dakorduar, dhe nga ana tjetër, gjithashtu nuk është mençuri të mos përgatitësh opinionin tënd për të vërtetën. Mendoj se shumë deklarata, para së gjithash të kryeministrit Koshtunica, i përkasin arsenalit të deklaratave të njëanshme dhe të manipulimit të drejtpërdrejtë të opinionit publik në Beograd.

RADIO EVROPA E LIRË
Kryeministri Vojisllav Koshtunica disa herë ka ripërsëritur se Serbia shpreson në veton e Rusisë.
Sa janë reale pritjet e këtilla?

DUSHAN JANJIQ
Kuptohet që kryeministri këto mund t'i flasë në emrin e vet, dhe me siguri që në Serbi ka të atillë, të cilët mendojnë si kryeministri. Por ajo që vërtetë është reale, është se një kohë të gjatë nuk ka patur veto, dhe se Kosova me siguri nuk është një çështje për të cilën dikush do të rrezikonte dhe do të përdorte veton. Unë mendoj se është reale që të pritet një proces i harmonizimit prej një apo dy muajsh, ndoshta pak edhe më të gjatë, që në fund të arrihet tek një formulë e rezolutës, e cila do të jetë e pranueshme nga të gjithë. Unë pres se Rusia do ta mbajë qëndrimin parimor, por të njëjtën do ta bëjnë edhe Amerika dhe Britania. Kështu, në fund ata do të gjejnë një kompromis, në bazë të të cilit, në vjeshtë me siguri do ta miratojnë edhe rezolutën.

RADIO EVROPA E LIRË
Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kanë deklaruar se në rast të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ata do të shpallnin pavarësinë e pjesës veriore të saj.
A do të zgjidhte kjo situatën, apo do të çonte në një konflikt të ri në Ballkan?

DUSHAN JANJIQ
Mund të them se një skenar i këtillë është menduar gjatë kohë. Ai pritet të ndodhë si përgjigje ndaj shpalljes së njëanshme të pavarësisë, pra nëqoftëse nuk do të kishte rezolutë të Këshillti të Sigurimit. Kjo mund të pritet nëse do të shpallej pavarësia megjithë kundërshtimin nga Beogradi. Por unë gjithmonë kam tërhequr vërejtjen se çështja e Kosovës është gjithçka përveç se një çështje e thjeshtë, dhe gabon secili që mendon se ka zgjidhje të njëanshme. Njëri nga këto gabime është ideja se diçka mund të arrihet me shpalljen e njëanshme të pavarësisë. Pra, as njëra dhe as tjetra nuk do ta ndihmonin situatën. Jam absolutisht i bindur se e vetmja gjë që ndihmon është një periudhë kalimtare nën protektoratin apo mbikqyrjen e Bashkimit Evropian, e cila në fakt duhet ta përgatitë Kosovën nga brenda dhe nga jashtë për atë që do të pasojë. Dhe kjo me siguri çon drejt pavarësisë së Kosovës.

Intervistoi: Vullnet POSHKA
XS
SM
MD
LG