Ndërlidhjet

logo-print

FILHARMONIA E KOSOVËS – ADRESË PËR CEREMONI MEMORIALE


Bekim Bislimi

Procesi nëpër të cilin ka kaluar Kosova gjatë viteve të pasluftës dhe rruga drejt definimit të statusit politik të saj, në vete kanë përmbajtur situata të pasigurta të organizimit politik. Ky proces ka pasur ndikimet e veta pozitive dhe negative në zhvillimin e jetës muzikore, veçanërisht të muzikës artistike, në Kosovë. Kështu thotë kompozitori, Rafet Rudi, pedagog në Fakultetin e Muzikës në Akademinë e Arteve në Universitetin e Prishtinës. “Kjo ka qenë kohë dhe është ende, supozojmë shumë shkurt, një kohë kur kanë mundur të thithen fondet e huaja mjaft. Unë mendoj, se më qenësore dhe më ndikuese në proceset kulturore, kanë qenë ndikimet e botëkuptimeve që ekzistojnë tek klasa politike. Do të thotë, jo rrethanat, por botëkuptimet”, thotë zoti Rudi. Ndërkaq, zhvillimet politike gjatë këtyre viteve kanë ndikuar edhe në tempon e zhvillimit të institucioneve kulturore dhe jetës muzikore. Kjo ka ndodhur edhe me Filharmoninë e Kosovës si institucion, që vlerësohet të jetë kryesor për kultivimin dhe prezantimin e muzikës serioze në Kosovë, thotë drejtori i këtij institucioni, dirigjenti Baki Jashari. “Ashtu siç është zhvilluar procesi politik dhe konsolidimi i skenës politike në Kosovë, ashtu ka pasur edhe reperkusione në zhvillimin e Filharmonisë. Sipas mendimit të shumë muzikantëve dhe njerëzve të involvuar në këtë proces, Filharmonia nuk e ka përkrahjen e duhur, sa ne do të dëshironim që ta ketë ky institucion. Ndikimet e politikes në zhvillimin e këtij institucioni vërehen më së shumti atëherë kur politikës i nevojitet ky institucion”, shprehet zoti Jashari. Gjatë procesit nëpër të cilin po kalon Kosova, ka pasur dhe vazhdon të ketë momente dhe situata, që pasqyrojnë jokonsolidimin e skenës politike, thotë kompozitori Rafet Rudi. Sipas tij, e tërë kjo ka reflektuar negativisht në zhvillimin e kulturës në Kosovë, por proceset politike si dhe zhvillimet negative të skenës politike, nuk kanë qenë faktorët e vetëm që kanë lënë pasoja negative në këtë zhvillim. “Janë njerëzit e kulturës që i kanë kontribuar, do të thosha këtij konfuzioni, me veprime jokorrekte ndaj institucioneve, me privatizime të ndryshme të parasë publike dhe natyrisht, kjo e ka dëmtuar hapin tonë zhvillues në këtë periudhë”, vlerëson zoti Rudi. Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, zoti Jashari shpreh brengosjen lidhur me trajtimin e këtij institucioni kulturor nga institucionet qeveritare, të cilat siç thotë ai, marrëdhëniet i bazojnë vetëm në kërkesat për nevoja protokolare. “Kur u duhet një shënim memorial, natyrisht që menjëherë adresa dihet, është Filharmonia e Kosovës. Sfera e kuptimit të institucionit tonë duhet të jetë shumë më e gjerë dhe të shihet në aspekt shumë më të gjerë nga politikanët tanë”, thotë zoti Jashari. Ndërkaq, kompozitori Rudi thekson: “Në kokat e politikanëve tonë, ende nuk janë të vendosur qartë prioritetet strategjike të kulturës sonë. Ato duhet të përcaktohen. Ato në çdo kohë duhet të jenë prezente, të dukshme dhe në bazë të atyre prioriteteve duhet të veprohet”. Sidoqoftë, zhvillimet kulturore janë pjesë e procesit nëpër të cilin po kalon Kosova drejt definimit të statusit të saj politik, thotë zoti Jashari, duke shtuar se në këtë drejtim, ata që i prijnë këtij procesi duhet t’i japin përkrahje zhvillimit kulturor dhe shpirtëror të Kosovës. “Ta kuptojnë rëndësinë që këto institucione, nëse subvencionohen dhe përcillet zhvillimi i tyre sa më dinamik, ato bëhen shtyllat e shtetit të Kosovës. Gjendemi në një fazë shumë delikate dhe historike për Kosovën. Nuk mund të kalojë ajo pa ndikimin e kulturës. Kultura merr pjesë me doemos në rrumbullaksimin e çështjeve që ndodhin gjithkund nëpër shoqëritë edhe nëpër Evropë e botë, e posaçërisht në momentin aktual në Kosovë”, përfundon zoti Jashari.
XS
SM
MD
LG