Ndërlidhjet

KOHA PËR TË ZGJIDHUR NYJEN NË KOSOVË


"Independent"

Bëhu gati Evropë, një shtet i ri është duke lindur. Apo ndoshta edhe jo, nëse Rusia shfrytëzon veton në Këshillin e Sigurimit mbi planin e Kombeve të Bashkuara për pavarësinë e Kosovës. A duhet dikush tjetër, përveç shqiptarëve dhe serbëve, të çajë kokën për këtë çështje? Ne kemi hyrë në luftë më 1999 për të ndalur spastrimin etnik të Serbisë kundër shqiptarëve në Kosovë dhe kjo është arsyeja pse ndërkombëtarët duhet të jenë të interesuar në të ardhmen e këtij vendi. Që prej përfundimit të luftës, megjithatë, kemi lejuar që të zhvillohet një lëmsh në Kosovë dhe për të kënaqur aleaten e Serbisë, Rusinë por edhe vendet tjera të Botës së Tretë, të cilat secesionet i shohin me tmerr, është krijuar një përshtypje e rreme se Kosova është ende pjesë e Serbisë.
Ky kompromis është treguar i pakënaqshëm, duke krijuar një kulturë varshmërie tek kosovarët dhe duke nxitur shpresën tek nacionalistët serbë se një ditë do ta rifitojnë Kosovën. Ky është një iluzion i kulluar. Përballë shumicës shqiptare e cila është e bashkuar në qëndrimin për pavarësinë dhe kundër kthimit të pushtetit serb, ka ardhur koha për rojet ndërkombëtare të Kosovës ta zgjidhin nyjen dhe t’i lënë shqiptarët të vazhdojnë rrugëtimin. Për fat të keq kjo qasje pragmatike nuk është duke pirë ujë tek Vladimir Putini. Opinioni rus është duke mbështetur me vendosmëri vartësin e kahmotshëm ortodoks serb. Por, shfrytëzimi i vetos mbi planin e Kombeve të Bashkuara nuk do të mund ta ndalë një proces i cili ka një drejtim të pakthyeshëm që nga 99-ta, diçka e këtillë thjesht do të mund ta heqë elementin e kontrollit mbi të. Në vend se të ketë njohje nga Kombet e Bashkuara, përfshirë këtu edhe një rol të fuqishëm mbikqyrës të Bashkimit Evropian, Kosova mund ta shpallë pavarësinë njëanshmërisht. Disa shtete do ta njohin këtë pavarësi dhe disa jo, por BE-ja atëherë nuk do të kishte rol në Kosovë dhe nuk do të kishte mbrojtje për pakicën serbe. Madje, në veri mund të ketë edhe konflikte, nëse enklava më e madhe serbe kërkon ndihmë ushtarake nga Beogradi.
Sipas të gjitha gjasëve, ky skenar nuk është armiqësor në sytë e Beogradit, i cili nga kjo betejë mund të dalë me një copë territor më shumë, por ky nuk është një rezultat i cili gëzon mbështetje të përgjegjshme. Miqtë e Serbisë duhet ta ftojnë atë që të pranojë faktin se Kosova është humbur dhe të përqëndrohet në të ardhmen e saj evropiane. Sa për kosovarët, atyre duhet dhënë shtetësinë që synojnë, të cilën vetot ruse nuk mund ta pengojnë përgjithmonë.


XS
SM
MD
LG