Ndërlidhjet

PLAKS: SIGURIA – SFIDA KRYESORE GJATË PROCESIT TË STATUSIT


Zijadin Gashi

Kosova ende mund të kërcënohet nga shpërthimi i dhunës në këtë fazë finale të zgjidhjes së statusit të saj, është thënë sot pas konferencës me temën, “Kosova gjatë procesit të statusit”, të organizuar nga projekti për Marrëdhënie Etnike, në Prishtinë. Në konferencë, e cila i ka zhvilluar punimet nën dyer të mbyllura, kanë marrë pjesë përfaqësues politik vendorë si të shqiptarëve ashtu edhe ata të serbëve, si dhe përfaqësues ndërkombëtarë nga UNMIK-u, KFOR-i dhe zyrat diplomatike në Prishtinë. Livia Plaks, presidente e Projektit për Marrëdhënie Etnike tha se konferenca nuk ka nxjerrë ndonjë përfundim, por si shqetësim i shprehur ishte se mungesa e komunikimit ndërmjet komunitetit shumicë dhe pakicave pastaj mungesa e besimit dhe e informimit të drejtë, mund të ndikojë situatën e përgjithshme të sigurisë.
“Siguria është një prej sfidave kryesore me të cilën ballafaqohet shoqëria kosovare, në veçanti për liderët politikë të cilët po udhëheqin një proces kaq të rëndësishëm që ka të bëjë me përcaktimin e të ardhmes së Kosovës dhe popullit të saj”, tha Livia Plaks. Ajo tha se përgjegjësinë për situatën e sigurisë e mbajnë të gjithë, si shumica ashtu edhe pakica, por shqiptarët si shumicë absolute, sipas saj, megjithatë mbajnë një pjesë më të madhe të barrës.
Ndërkohë, Alex Grigorev, drejtor ekzekutiv i Projektit për Marrëdhënie Etnike tha se komunikimi dhe ndërtimi i mirëbesimit ndërmjet komuniteteve, do të jetë çështjet kyçe në rrugën e ndërtimit të një Kosove stabile.
“Si të ndërtohet besimi. Shqiptarët nuk kanë shumë zgjidhje, kështu që sugjerimi që doli nga konferenca, ishte që ata duhet të bashkëpunojmë me ata serbë që duan të bashkëpunojnë”, tha Grigorev. Ai u sugjeroi liderëve kosovarë që të jenë sa më shumë të pranishëm nëpër terren, të bisedojnë me njerëzit dhe t’u sqarojnë atyre të ardhmen e Kosovës. Po kështu, Grigorev tha se edhe nga liderët serb është kërkuar që ata t’u sqarojnë komunitetit të tyre drejtë gjendjen në Kosovë dhe procesin e finalizimit të statusit.
Një prej çështjeve tjera, që sipas Livia Plaks kishte mbizotëruar diskutimet në konferencë, ishte edhe ajo se sa ndikon statusi në çështjen e sigurisë. Në këtë aspekt, shqiptarët sipas saj, kanë pohuar se zgjidhja e statusit ndikon shumë në një gjendje stabile të sigurisë, përderisa serbët kanë mbështetur tezën e krijimit të një gjendje stabile para se të vendoset për statusin.
XS
SM
MD
LG