Ndërlidhjet

BIZNESI PËRBALLË NORMAVE TË INTERESIT


Nadie Ahmeti

Zyrtarë të Autoritetit Qendror të Bankave dhe Pagesave dhe ekspertë për çështje ekonomike japin mendime të ndryshme rreth normave të interesit për kredi nga sistemi bankar. Normat e kamatës për kredi në Kosovë sillen prej 10 deri në 13.8 për qind, varësisht nga banka dhe lloji i kredisë. Mimoza Kusari-Lila, drejtoreshë në Odën Ekonomike Amerikane për Kosovë, thotë se këto norma janë më të lartat në rajon dhe për këtë sistemi bankar në Kosovë e ka shfrytëzuar kohën e tranzicionit. “Kjo ka ndodhur si rezultat i faktit se kemi qenë një vend i dalë pas lufte, ku popullsia e gjerë ka pasur një besim të humbur nga bankat komerciale. Ndërsa, një gjë e tillë është trashëguar vite me radhë. Dalëngadalë kredibiliteti i bankave është kthyer, por megjithatë, normat e interesit kanë mbetur të larta”, shprehet zonja Kusari-Lila. Normat e interesit për kredi i përcaktojnë vetë bankat me politikat e tyre ekonomike, thotë Ajri Begu, drejtor i Bordit të Autoritetit Qendror të Bankave dhe Pagesave në Kosovë. Zoti Begu thekson se kamatat e kredive në bankat kosovare nuk kanë ndonjë dallim të madh me bankat në rajon. “Janë aq të ngjashme, sa është i ngjashëm realiteti ynë me këto vende, sa është e ngjashme ekonomia jonë me këto vende. Natyrisht se ne kemi specifikë, se të gjitha kreditë janë me euro, dhe krahasuar me vendet e rajonit, nuk ka ndonjë diferencë, e cila mund të theksohet”, thotë zoti Begu. Por, zonja Kusari- Lila nuk pajtohet me këtë. Ajo pohon se normat e interesit në vendet e rajonit sillen prej 3 deri në 6 për qind. “Ka natyrisht edhe më të larta, por tregu është më i gjerë dhe ka mundësi më të madhe. Në Kosovë oferta nuk është edhe aq e ndryshueshme apo diverse, prandaj ka mbetur një fyt i ngushtë në kuptimin e normave të interesit”, thekson zonja Kusari-Lila. Përveç nivelit të lartë të kamatës për kredi, ajo thotë se problem tjetër që paraqet sistemi bankar për klientët, është mungesa e greis-periudhës, që nënkupton shpagimin e kredisë pas një periudhe të caktuar. “Sikur të kishte një greis-periudhë, me siguri se do të ishte një periudhë, kur edhe këto biznese do të mund të frymojnë më lirshëm, pa ngarkesa financiare. Ndërkaq, me siguri do të kishin mundësi të fillojnë t’i vjelin frytet e investimeve të tyre, derisa të vijë koha të fillojnë të paguajnë apo të kthejnë prapa kredinë”, shprehet zonja Kusari-Lila. Autoriteti Qendror i Bankave dhe Pagesave, edhe pse është institucioni i vetëm që kontrollon dhe mbikëqyr sistemin bankar në Kosovë, nuk ka asnjë kompetencë që të ndërhyjë në politikat afariste të bankave, thotë Ajri Begu. Sipas tij, në këtë fushë mund të ndikojë vetëm oferta, kërkesa dhe konkurrenca e fortë bankare. “Për ne do të ishte me interes të kemi konkurrencë të hapur, të kemi sa më shumë akterë apo banka të fuqishme, të cilat do të jenë në gjendje të luajnë rol aktiv në konkurrencë”, pohon zoti Begu. Mimoza Kusari- Lila ndërkaq thotë, se ky sistem do të rregullohet pas zgjidhjes së statusit përfundimtar, kur në Kosovë do të zhvillojnë veprimtaritë e tyre bankat zhvillimore ndërkombëtare, të cilat japin kredi afatgjatë, me normë më të ulët të interesit. “Tek atëherë, ne mund të flasim për një zhvillim të qëndrueshëm dhe për një infuzion financiar, që me të vërtetë e kryen funksionin e tij, në kuptimin e ngritjes ekonomike të Kosovës. Kjo i ka munguar Kosovës dhe i mungon ende. Kjo do të jetë ende mungesë, deri në kohën e definimit të statusit”, thekson zonja Kusari-Lila. Sidoqoftë, në Kosovë veprojnë gjashtë banka komerciale. Krahasuar me vitin 2004, normat e kamatës për kredi për biznese kanë rënë nga 15.1 për qind në 13.8 për qind. Ndryshe, sektori i biznesit vazhdon të jetë absorbuesi më i madh i kredive në Kosovë.



XS
SM
MD
LG