Ndërlidhjet

BLUNT: STATUS-QUO-JA E PAQËNDRUESHME


Rrahman Paçarizi

Bashkësia ndërkombëtare po bën të gjitha përpjekjet për të siguruar miratimin e një rezolute në Këshillin e Sigurimit, mbi bazën e propozimit të Martti Ahtisaarit për statusin e Kosovës, tha sot në Çagllavicë, afër Prishtinës, shefi i zyrës britanike në Kosovë, David Blunt. Në një takim, në ‘press qendrën’ e atjeshme, zoti Blunt tha se gjendja aktuale nën Rezolutën 1244 është e paqëndrueshme. “Është e nevojshme që të përmbyllet me sukses procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës, pasi status-quo-ja nuk i përgjigjet asnjë bashkësie në Kosovë”, tha Blunt, sipas të cilit, zgjidhja e statusit do të hapë perspektiva të reja politike dhe ekonomike, ndërkohë që i ka cilësuar të mashtruar ata që mendojnë se status-quo-ja është e qëndrueshme. Zoti Blunt tha se nuk sheh ndonjë arsye, se përse do të ishte e pamundur të tejkalohen zbrazëtirat, në rast se Rusia vë veto dhe bllokon miratimin e rezolutës së re, të mbështetur mbi planin e Ahtisaarit. “Unë mendoj se është marrëzi të mundësojmë çfarëdo dhune. Kjo do ta kthente mbrapa jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin, dhe do të ndikonte në rrugën drejt integrimeve evropiane”, theksoi diplomati më i lartë britanik në Kosovë, David Blunt. Ndërkaq, zëvendëskryeministri i Kosovës, Lutfi Haziri, pjesëmarrës në këtë debat, tha se nuk ka një plan tjetër dhe se plani i Ahtisaarit është rruga e vetme, në të cilën mund të ecë Kosova, dhe në rast të vetos ruse, Kosova do të koordinohet me partnerët euro-perëndimorë për hapat e mëtejshëm. Në anën tjetër, kryetari i Lëvizjes Serbe të Rezistencës, Momçilo Trajkoviq, mendon se plani i Ahtisaarit nuk është zgjidhje e mirë dhe se, sipas tij, alternativë e vetme është prolongimi i zgjidhjes edhe për dhjetë vjet, pasi siç thotë ai, zgjidhjet e ngutshme mund të jenë vetëm burime krizash, ashtu siç nuk do të ishte zgjidhje as vetoja ruse. “Ata që mbështesin veton, duhet të kenë zgjidhje për krizën e Kosovës dhe në këtë kuptim, mendoj se bisedimet duhet të vazhdojnë për të gjetur zgjidhjen, sado e pamundur të duket tash një gjë e tillë”, u shpreh Trajkoviq. Ai tha se edhe pala shqiptare, edhe ajo serbe, janë pozicionuar thellë në qëndrimet e tyre dhe nuk po bëjnë lëvizje progresive. Sidoqoftë, asnjë nga pjesëmarrësit në këtë debat nuk tha se çka në të vërtetë duhet ndërmarrë, në rast të vetos ruse.

XS
SM
MD
LG